Site icon PORTALB

Ngjarjet më të rëndësishme që shënuan vitin 2021 në Maqedoninë e Veriut

Ngjarjet e vitit 2021, autor: Suad Bajrami/Portalb.mk

Ngjarjet e vitit 2021, autor: Suad Bajrami/Portalb.mk

Nëse mund të përmblidhet në një fjali, 2021 ishte viti i tragjedive të mëdha.

Viti filloi me shpresa të mëdha të tipit: më në fund kemi vaksina, pandemia do të mbarojë, do të kemi jetë normale, do të udhëtojmë lirshëm, dhe madje do t’i heqim qafe maskat… Dhe gjithçka shkonte sipas planit, bile me rrëmuja te mëdha para pikave të vaksinimit. Diku organizimi ishte më i mirë, diku më i keq, megjithatë ecte disi. Madje, në pranverë kishte frikë, posaçërisht nga gazetarët se po na mbarojnë vaksinat e na lënë pa e marrë. Megjithatë, si pushtet i katërt në një vend me demokraci të dyshimtë, u vaksinuam dhe ne.

Por ama, ka një problem, jo gjithë janë vaksinuar, dhe kjo pandemi e dreqit u kthye në pandemi e të pavaksinuarve, me numër katastrofal të vdekjeve. Spitalet u shndërruan në morge. Pamjet e trishta nëpër rrjetet sociale me ngushëllime dhe lajmërimet për varrosje, dita ditës na ndjellnin frikë, trishtim dhe neveri… aman më, a ka fund?! Po ja që nuk ka fund! Sepse nuk vaksinohemi. Virusi nuk do të zhduket vetvetiu dhe vaksinat nuk e mbytin atë, por ajo që kemi mundur ta bëjmë është ta mbrojmë veten dhe të afërmit. A nuk vaksinohemi sepse nuk lexojmë gjërat e vërteta. Lufta me dezinformatat që madje dhe marrin jetë njerëzish, ishte sfidë personale e redaksisë tonë.
Dhe lufta vazhdon, gjithnjë duke mbrojtur profesionalitetin gazetaresk.
Deri sa të vaksinohen të gjithë ata 1.8 milionë njerëz, gjë që na zbuloi regjistrimi i famshëm, i cili më në fund më, pas 19 viteve u realizua!

E kur të arrijmë imunitetin kolektiv, nuk do të kemi më orët policore siç ndodhi në pranverë (disa prej tyre ta fyenin inteligjencën me orarin e tyre, po nejse). Madje, dhe ekonomia do të lulëzonte dhe kriza ekonomike do të ishte më e përballueshme. Kur jemi te kriza, menduam që vitin e kaluar goditja më e madhe erdhi në rritjen e çmimit të energjisë elektrike… sa gabim që ishim. Kriza sapo ka filluar, me shtrenjtimet e çdolloji që po ndodhin.

Dhe çfarë është më keq se të jetosh në pandemi dhe pa para? Të digjesh i gjallë! Përjetuam djegie të shpirtit, dhe atë dy herë! Sikur të mos mjaftonte tragjedia e madhe e spitalit të Tetovës, ndodhi dhe ajo e autostradës në Bullgari. Të shkosh në spital për t’u shëruar dhe të dalësh i karbonizuar, këtë ua mundëson shteti i korruptuar i Maqedonisë së Veriut. Të shkosh për të shëtitur dhe të kthehesh i karbonizuar, këtë, të nderuar lexues, ua mundëson shteti i korruptuar i Maqedonisë së Veriut. Dhe e dini çka djeg më shumë? Mosdënueshmëria. Me vite! Sikur u mësuam me padrejtësinë në këtë vend.

Ministria e padrejtësisë dhe gjykatat së bashku me prokurorinë, vazhdimisht “reformohen”. Kemi ndjekur plane aksionare e kushedi sa konferenca për shtyp, duke na bindur se drejtësia sapo ka ardhur me reformat “taze”. Ama ajo që shohim në praktikë, lë shumë për të dëshiruar.

Ah dhe zgjedhjet ndodhën, si zakonisht, nuk shkon vit pa mos pasur të tilla. Hiper-demokraci. Ndërrim pushteti por jo dhe fytyra të reja. Dorëheqja e kryeministrit ishte e pashpjegueshme. Jo ajo e liderit partiak, por kjo e dyta thjeshtë të bën të mendosh se i ka ikur përgjegjësisë për kontestin me Bullgarinë. Një tjetër temë dhe golgotë që nuk ka fund. Krahas asaj që as këtë vit nuk u “evropianizuam”,  gjë që nënkupton se duhet së paku të respektojmë ligjet dhe të drejtat njerëzore, të çrrënjosim korrupsionin, padrejtësinë dhe të shndërrohemi në qytetarë me ndërgjegje kolektive, e lamë të pazgjidhur kontestin me fqinjin tonë bullgar, gjuhën e së cilit thuajse gjithë e kuptojmë.
U dhanë disa data se kur Evropa do na thotë atë “po”-në historike, ama siç tallen në rrjetet sociale, nuk na kallëzuan vitin..
Kjo sfidë, pra, i mbetet qeverisë së re dhe gjithë politikanëve tanë, të cilëve duke pasur parasysh ndryshimet klimatike dhe problemet më të mëdha me pandeminë dhe krizën energjetike dhe ekonomike, si redaksi ju dëshirojmë të “bien në mend”, të punojnë seriozisht për një ardhmëri më të mirë, dhe mos merren me njëri tjetrin. E as me inate politike fëmijërore, skena që shpesh shohim në Këshillin e Komunës së Tetovës, që për herë të parë vendosi të na hapë dyert në ‘mbretërinë’ e tyre për t’i parë se çfarë vendimesh merren.

Ka dhe shumë ndodhi që duhet komentuar, por mos e zgjasim. Urojmë që 2022 të jetë më i mëshirshëm ndaj neve, më i shëndoshë dhe më i vëmendshëm ndaj shkatërrimit që ia bëjmë mjedisit jetësor.

Më poshtë, ekipi i Portalb-it ka bërë një radhitje kronologjike të të gjitha ndodhive më të rëndësishme politiko-sociale në vend të radhitura sipas datave dhe muajve përkatës.

JANAR

2 janar 245 kompani morën nga Qeveria mbi 12 milionë denarë mbështetje financiare për punëtorët, por nuk ua dhanë rrogat https://wp.me/patqqI-32qx
4 janar Prokuroria ngriti aktakuzë kundër anëtarit të Këshillit Gjyqësor Zoran Teofillovskit https://wp.me/patqqI-32uK
12 janar Kuvendi zgjodhi kryetarin dhe anëtarët e ri të KSHZ-së https://wp.me/patqqI-32K4
13 janar Raport alarmues i UNESCO-s për Liqenin e Ohrit https://wp.me/patqqI-32Mu
17 janar Komuna e Tetovës bleu pesë autobusë me 1.2 milionë euro kredi që duhet paguar për 13 vite https://wp.me/patqqI-32WV
20 janar Komuna e Sarajit filloi me rrënimin e objekteve pranë Liqenit Treska https://wp.me/patqqI-333k
20 janar Këshilli Gjyqësor e shkarkoi gjyqtaren Tatjana Mihajllova për shkak të abuzimit me AKMIS https://wp.me/patqqI-334p
21 janar Rasti “Monstra”, Prokuroria e tërhoqi akuzën për Sami Lutën për të cilën paraprakisht u dënua me burgim të përjetshëm https://wp.me/patqqI-337E
25 janar Kandidati i BDI-së për kryeministër, Naser Ziberi, u zgjodh Avokat i Popullit https://wp.me/patqqI-33h8
27 janar Varianti britanik i virusit korona arriti në Maqedoninë e Veriut https://wp.me/patqqI-33lk
28 janar U riaktivizua “Dhoma publike” ku shpërndahen fotografi private të vajzave https://wp.me/patqqI-33mh
29 janar Protestë për rastin “Monstra” në Shkup: Të shkarkohet prokurorja Fetai, të ndërhyjnë ndërkombëtarët https://wp.me/patqqI-33nh
Rraporti i UNESCO-s për Liqenin e Ohrit, përmban kritika dhe thekson rreziqet në secilën prej fushave të shqyrtuara, nga urbanizimi dhe ndërtimet ilegale, përmes turizmit dhe mbrojtjes së biodiversitetit e deri te infrastruktura dhe trajtimi i mbeturinave dhe ujërave të zeza. Foto nga Portalb.mk/Suad Bajrami

SHKURT

3 shkurt Shkup, “Ti nuk je fajtore”: Qindra protestues i dolën në mbrojtje viktimave të grupit “Dhoma Publike” https://wp.me/patqqI-33pz
3 shkurt Padi penale kundër 8 zyrtarëve të MPB-së: Kanë dhënë patenta shoferi pa testime e dokumente https://wp.me/patqqI-33DB
4 shkurt 1.180 administratorë prej 1.349 që kanë marrë rrogë e nuk kanë shkuar në punë, e kanë nënshkruar vendimin e shpërndarjes https://wp.me/patqqI-33EO
12 shkurt Besa Ademi u zgjodh kryetare e Gjykatës Supreme https://wp.me/patqqI-33Um
12 shkurt Ish kryetarit të Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov iu ul dënimi për 2 vjet, Alimit për 1, Gjykata e Apelit e publikoi vendimin për “27 Prillin” https://wp.me/patqqI-33Xu
13 shkurt 2 vjet nga aksidenti i autobusit në Llaskarcë ku humbën jetën 16 persona, procesi gjyqësor ende pa epilog https://wp.me/patqqI-33YO
18 shkurt U regjistrua Bashkësia Islame Selefiste në RMV, BFI u deklarua se është kundër unitetit të muslimanëve https://wp.me/patqqI-34by
21 shkurt U arratis ish shefi i Policisë Sekrete Sasho Mijallkov dhe pas 2 ditëve vetë u paraqit në Prokurori https://wp.me/patqqI-34qG
22 shkurt Protestë për rastin “Almiri”: Gjykata të mos tallet me drejtësinë https://wp.me/patqqI-34jJ
23 shkurt Aktgjykim për rastin “Monstra”, tre burgime të përjetshme, dy persona u dënuan me 15 vjet dhe 9 vjet https://wp.me/patqqI-34mj
26 shkurt Përleshje me policinë në protestën për “Monstrën”, pasi u shpall aktgjykimi, disa protestues u dënuam me burg për prishje të rendit dhe qetësisë publike https://wp.me/patqqI-34nM
26 shkurt Gjykata Penale i shpalli fajtor të akuzuarit për rastin e përgjimeve “Target-Fortesa”, Sasho Mijallkov u dënua me 12 vjet burg, Gordana Jankulloska me 4 https://wp.me/patqqI-34wy
Rasti “Monstra”, foto arkiv nga Portalb.mk, nga e djathta: Fejzi Aziri, Haki Aziri, Agim Ismailloviq. Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq (të cilët janë në arrati) bashkë me Agim Ismailloviqin, u dënuan me burgim të përjetshëm për veprën “terrorizëm”, Fejzi Aziri u dënua me 15 vjet burg për “ndihmë”, ndërkaq Haki Aziri u dënua me 9 vjet burg, gjithashtu për ndihmë. I akuzuari Sami Luta u shpall i pafajshëm. Me vendimin nuk u pajtua mbrojtja, u organizuan dhe protesta.

MARS

3 mars Shkuan në burg familjarët e Almirit për të mbajtur dënimin me burg https://wp.me/patqqI-34Jn
4 mars Protestë për “Dhomën publike”, organizatorët kërkuan që më 8 Mars gratë të lirohen nga puna, të marrin pjesë në marsh https://wp.me/patqqI-34L5
5 mars U ekstradua nga Bullgaria i arratisuri Igor Spasov, i dënuar për vrasjen e Martin Neshkovskit https://wp.me/patqqI-34Qn
10 mars Orë policore në RMV si masë për parandalimin e shpërndarjen së COVID-19 https://wp.me/patqqI-351B
11 mars Është shkarkuar Sofija Laliçiq, e cila sipas përgjimeve, ishte bërë gjykatëse me porosi të Mijallkovit https://wp.me/patqqI-352Z
16 mars Tragjedi në Gostivar, një djalosh 7-vjeçar humbi jetë nga zjarri në banesën ku jetonte, paraburgim  për nënën e cila akuzohet se ia ka lidhur këmbët me zinxhir https://wp.me/patqqI-35f7
17 mars Akuzohen për plagjiaturë disa profesorë të Fakultetit të Mjekësisë së Universitetit të Tetovës https://wp.me/patqqI-35hJ
18 mars Libri i gjeografisë për vitin e dytë – gjimnaz, në të cilin fyhen shqiptarët, pas shumë reagimeve u tërhoq nga përdorimi https://wp.me/patqqI-35jF
25 mars Në moshën 46-vjeçare, ndërroi jetë aktori Luran Ahmeti https://wp.me/patqqI-35Di
26 mars Rigjykimi për rastin në Gjorçe Petrov ku mbeti i vdekur maturanti Angel Petkovski, Gjykata shpalli fajtor Naser Eshtrefin dhe e dënoi me 13 vjet burg, 1 më pak se në gjykimin e parë https://wp.me/patqqI-35E5
29 mars Takim mes liderëve, Zoran Zaev – Hristijan Mickoski, regjistrimi i popullsisë që duhej të mbahet në prill, u shty për në shtator https://wp.me/patqqI-35K2
“Shteti që nuk vepron është shtet që përdhunon”, nën këtë moto Platforma për barazi gjinore më 8 Mars marshoi për mbrojtje më të madhe të grave nga dhuna seksuale dhe ngacmimet, duke u përqendruar në skandalin me “Dhoma Publike” – grupet në të cilat në mënyrë eksplicite përhapen fotografi dhe të dhëna personale të grave dhe të miturve. Foto: Vanço Xhambaski

PRILL

1 prill Qeveria shpalli gjendje krize për 30 ditë për shkak të situatës me COVID-19, salla sportive “Boris Trajkovski” u shndërrua në qendër për vaksinim të popullatës https://wp.me/patqqI-35SB
7 prill Pas vendimit të Qeverisë u mbyllën objektet hotelerike, bastoret dhe kazinot https://wp.me/patqqI-365i
7 prill Ndërroi jetë ish prokurori famëkeq, Marko Zvërlevski https://wp.me/patqqI-365u
9 prill Protestë kundër aktgjykimit për rastin e vrasjes së komitit Sazdovski, Besir Bela dhe Skender Demiri u dënuan me nga 16 vjet burg, ndërkaq Jeton Luzha u ekstradua nga Gjermania për t’u gjykuar https://wp.me/patqqI-368A
13 prill Ish kreu i policisë sekrete, Sasho Mijallkov u dënua me 8 vjet burg në rastin “Thesari” https://wp.me/patqqI-36hz
14 prill Dragi Rashkovski dha dorëheqje nga posti sekretar i përgjithshëm i Qeverisë, pas akuzave për korrupsion, dy ditë më vonë policia e arrestoi, ndërkaq pas propozimit të Prokurorisë, Gjykata i shqiptoi paraburgim https://wp.me/patqqI-36p5
16 prill Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa arritën marrëveshje me kryeministrin Zoran Zaev për ligjin për nënshtetësi: T’u jepet të gjithë atyre që jetojnë në RMV mbi 30 vite https://wp.me/patqqI-36qi
25 prill Nëpërmjet protestës, VMRO-DPMNE-ja kërkoi lirimin e të dënuarve për terrorizëm në rastin 27 prillit të dhunshëm në Kuvend https://wp.me/patqqI-36KQ
26 prill Përplasje mes MASH-it dhe nxënësve për propozimin për libra digjital, në vend atyre të shtypura https://wp.me/patqqI-36Og
29 prill RMV duhet të kthejë 1.200.000 euro në IPA fondet, për shkak të 38.000 eurove ryshfet të ish sekretarit shtetëror në MSHIA, Jahi Jahiu https://wp.me/patqqI-36X1
Ish shefi i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), Sasho Mijallkov u dënua me 20 vjet burg në dy lëndë, para shqiptimit të dënimit tentoi të arratiset, por vet u paraqit në Prokurori pasi që pati reagime të ashpra nga opinioni brendshëm dhe ndërkombëtar

MAJ

6 maj Komuna e Çairit bashkë me Qytetin e Shkupit, gjatë orës policore, vendosi bankina të betonit përmes bulevardit “Cvetan Dimov” https://wp.me/patqqI-37bk
9 maj 6 vjet nga konflikti i armatosur në “Lagjen e Trimave” të Kumanovës, asgjë nga hetimi ndëkombëtar https://wp.me/patqqI-37jZ
12 maj Prokuroria ngriti akuzë për “Parcelat në Vodno” kundër Gruevskit, Mijallkovit, Kamçevit dhe tre personave të tjerë https://wp.me/patqqI-37rt
14 maj Presidenti Pendarovski refuzoi ta nënshkruajë dekretin për Ligjin për legalizimin e objekteve pa leje, pasi që ishte kundër Kushtetutës dhe interesit publik https://wp.me/patqqI-37vf
18 maj MPJ e shpalli një diplomat rus person të padëshiruar https://wp.me/patqqI-37CX
26 maj Presidentët e RMV-së dhe Bullgarisë, Pendarovski dhe Radev, për vizitë të përbashkët në Romë, derisa vazhdojnë bisedimet për veton bullgare https://wp.me/patqqI-37Rl
29 maj U hap Dino parku në Shkup – 41 dinozaurë me lëvizje dhe tinguj për t’i zbaviitur qytetarët https://wp.me/patqqI-37Z1
29 maj Qeveria e tërhoqi propozimin ligjin kontestues për objektet pa leje, pas reagimeve të shumta në opinion https://wp.me/patqqI-37YZ
31 maj UNESCO sërish me kritikë prej 125 faqesh për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Liqenit të Ohrit https://wp.me/patqqI-384A
Udhëtim i përbashkët në Romë i presidentëve të RMV-së dhe Bullgarisë, Stevo Pendarovski – Rumen Radev, për të vizituar bazilikën “Shën Mërija Maxhore”, ku bashkë u dhanë nderime vëllezërve shën Kirili dhe Metodi. Vetoja bullgare vazhdon të jetë pengesa kryesore për hapjen e bisedimeve RMV-BE, për shkak çështjeve historike. Pavarësisht thirrjeve të BE-së dhe SHBA-së, ende nuk është gjetur zgjidhje. Foto nga Presidenca e RMV-së.

QERSHOR

1 qershor Masa të reja antikovid – pa maska në ambient të hapur, lejohet organizimi i dasmave, por me disa kushte https://wp.me/patqqI-383a
1 qershor BE ndau 80 milionë euro ndihmë financiare për RMV-në, për ti rikuperuar dëmet e pandemisë https://wp.me/patqqI-386V
5 qershor Ali Ahmeti e shpalli Bashkimin Demokratik për Integrim “parti të gjelbër” https://wp.me/patqqI-38ga
7 qershor MSH informoi se ka arritur varianti “Delta” i COVID-19 në RMV https://wp.me/patqqI-38iP
9 qershor Presidenti amerikan Joe Biden urdhëroi që të vendosen në “listë të zezë” ata që punojnë kundër Marrëveshjes së Prespës https://wp.me/patqqI-38p2
17 qershor Tre vjet nga Marrëveshja e Prespës, sipas të cilës Maqedonia e ndërroi emrin në Maqedonia e Veriut https://wp.me/patqqI-38Jo
20 qershor Atletja Drita Islami e ka thyer rekordin shtetëror dhe fitoi në 400 metra me pengesa në Kampionatin Evropian në Qipro https://wp.me/patqqI-38OT
22 qershor Presidenca portugeze nuk arriti ta bind Bullgarinë për ta hequr veton ndaj RMV-së për fillimin e bisedimeve me BE-në https://wp.me/patqqI-38Uy
29 qershor Pas 19 vitesh, pas vendimit për tërheqjes së SHBA-së, përfundoi pjesëmarrja e ARM-së në misionin paqësor në Afganistan https://wp.me/patqqI-399s
30 qershor Mali Sharr u bë park Nacional https://wp.me/patqqI-39dF

Me 66 vota Kuvendi e miratoi ligjin për shpalljen e një pjese të Malit Sharr për park kombëtar. Me miratimin e këtij ligji, shteti ynë fitoi parkun e katërt kombëtar pas shpalljes së atij të fundit në vitin 1958 dhe të parit pas pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Foto nga projekti i Metamorfozis “STEP”KORRIK

1 korrik U hoq roamingu midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor https://wp.me/patqqI-376o
9 korrik Udhëheqësia sllovene me BE-në e përkrahu propozimin portugez për kontestin RMV-Bullgari https://wp.me/patqqI-39zX
14 korrik Prokuroria ngriti akuzë: Mile Janakieski dhe Igor Janushev në mesin e 4 personave të cilët kundërligjshëm e kanë favorizuar kompaninë kineze për autobusët dykatësh https://wp.me/patqqI-39ID
18 korrik 4 luftëtarë të ISIS nga Iraku dhe Afganistani, bashkë me 5 gra dhe 14 fëmijë u riatdhesuan në RMV https://wp.me/patqqI-39S0
20 korrik Disa raste të ish Prokurorisë Speciale pas shumë vitesh gjykime, fillojnë nga e para https://wp.me/patqqI-39WW
22 korrik LSDM dakordoi koalicion parazgjedhor për zgjedhjet lokale me BDI-në, PDSH-në dhe Lëvizjen BESA https://wp.me/patqqI-3a30
23 korrik Gjykata Penale e shpalli të pafajshëm Sasho Mijallkovin në lëndën “Tortura” https://wp.me/patqqI-3a4c
23 korrik UNESKO e anuloi vendimin për vendosjen e Ohrit në listën e trashëgimive botërore të rrezikuara https://wp.me/patqqI-3a3q
26 korrik Gjykata i dënoi me gjithsej 25 vjet burg ish kryeparlamentarin, Veljanovski, ish ministrat Janakieski dhe Ristovski dhe shefin e Policisë Sekrete, Atanasov https://wp.me/patqqI-3a9y
28 korrik RMV, filloi monitorimi ndërkombëtar i rasteve gjyqësore të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë https://wp.me/patqqI-3af5
28 korrik Apeli e ktheu në rigjykim rastin “Titanik 3”, janë shfuqizuar dënimet me burg për Ejup Alimin dhe Ismet Gurin https://wp.me/patqqI-3afY
29 korrik Me 95 vota “për” u miratua Rezoluta e VMRO-DPMNE-së për “vijat e kuqe” në bisedimet me Bullgarinë, partitë shqiptare kundër https://wp.me/patqqI-3ahq
Gjykata Penale e Shkupit i shpalli fajtorë funksionarët e lartë të VMRO-DPMNE sepse kanë organizuar ngjarjet e dhunshme të “27 prillit”. Trajko Veljanovski (ish kryetar i Kuvendit) – 6 vjet e 6 muaj burg, Mile Janakieski (ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve) – 6 vjet e 3 muaj burg, Spiro Ristoski (ish ministri i Arsimit dhe Shkencës) – 6 vjet e 3 muaj burg, Vlladimir Atanasov (ish drejtor i Policisë Sekrete) – 6 vjet burg. Në hetim u përfshinë edhe ish-kryeministrin Nikolla Gruevski dhe ish-zyrtari i inteligjencës Nikolla Boshkovski, por procedura për ta u ndal pasi janë në arrati.

GUSHT

5 gusht Qeveria shpalli  30 ditë gjendje krize për shkak shpërndarjes së zjarreve https://wp.me/patqqI-3axw
8 gusht Presidenti Stevo Pendarovski e angazhoi ushtrinë për t’i shuar zjarret masive https://wp.me/patqqI-3aFe
9 gusht Pas 20 viteve u gjet dokumenti origjinal i Marrëveshjes së Ohrit https://wp.me/patqqI-3aGT
14 gusht Qeveria i shtrëngoi masat kundër COVID-19, varianti “Delta” solli valën e katërt me qindra të infektuar dhe dhjetëra të vdekur në ditë https://wp.me/patqqI-3aRK
15 gusht Në kulmin e infektimeve, protestë skandaloze në Shkup kundër vaksinimit dhe masave anti-Covid-19, turma i dogji maskat dhe bëri thirrje “mjekët janë vrasës” https://wp.me/patqqI-3aSV
15 gusht Ndodhi dramatike në Afganistan, Qeveria u angazhua për largimin e shtetasve të RMV-së dhe bisedoi me SHBA-në për të pranuar 190 refugjatë transitorë afganë https://wp.me/patqqI-3aT0
16 gusht Kufizime të reja, në restorant, kafene, qendra tregtar, ngjarje në ambient të mbyllur,  me certifikatë vaksine https://wp.me/patqqI-3aSO
23 gusht Disa persona i prenë gypat e furnizimit me oksigjen në spitalin e Tetovës https://wp.me/patqqI-3b8x
27 gusht Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa arritën koalicion parazgjedhor me VMRO – DPMNE-në për zgjedhjet lokale https://wp.me/patqqI-3blP
28 gusht Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras u dekoruan me çmimin ndërkombëtar të paqes “Westphalia” për Marrëveshjen e Prespës https://wp.me/patqqI-3boi
Situatë alarmante gjatë verës me zjarret në rajonet e Shkupit, Strumicës, Kumanovës, Dellçevës, Pehçevës, Koçanit, Ohrit, Berovës, Manastirit dhe Shtipit. Qeveria shpalli 30 ditë gjendje krize, ndërkaq presidenti dërgoi ushtrinë për t’i ndihmuar zjarrfikësit. Foto nga zjarri në Koçan. Foto nga Portalb.mk, zjarri në Berovë

SHTATOR

1 shtator Masat ani-covid: Hyrja në RMV vetëm me vërtetim për vaksinim ose PCR test https://wp.me/patqqI-3byf
4 shtator Sead Koçan në vend që të jetë në burg është liruar, shkaktoi aksident trafiku ku 1 person humbi jetën 7 të tjerë u lënduan https://wp.me/patqqI-3bHg
5 shtator Pas 19 vitesh, filloi regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave https://wp.me/patqqI-3bHr
8 shtator Maqedonia e Veriut me program solemn dhe paradë ushtarake e shënoi 30 vjetorin e pavarësisë https://wp.me/patqqI-3bNY
8 shtator Tragjedi në Tetovë, u dogj Spitali Modular ku trajtoheshin pacienten me COVID-19, 14 persona humbën jetën, 12 të tjerë u plagosën, 3 ditë zie në mbarë vendin https://wp.me/patqqI-3bPq
9 shtator Në Tetovë u mbajt marsh në nder të viktimave në spitalin modular https://wp.me/patqqI-3bXn
10 shtator Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, zëvendësi i tij Ilir Hasani dhe dy drejtorët e Spitalit Modular dhanë dorëheqje https://wp.me/patqqI-3bW5
15 shtator 12 ditë para fushatës zgjedhore në Kuvend kaluan ndryshimet në Kodin Zgjedhor https://wp.me/patqqI-3c73
16 shtator Seancë e përbashkët qeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, u nënshkruan 11 marrëveshje https://wp.me/patqqI-3c8K
17 shtator Protestë në Tetovë për të kërkuar përgjegjësi për spitalin modular, pas përleshjeve me policinë, 5 persona u arrestuan https://wp.me/patqqI-3c7x
27 shtator Filloi fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit https://wp.me/patqqI-3cAO
28 shtator Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e vizitoi Shkupin, paralajmëroi intensifikim të bisedimeve me Bullgarinë për heqjen e vetos https://wp.me/patqqI-3cLc
30 shtator Mbaroi procesi i regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë Veriut https://wp.me/patqqI-3cVP
Spitali modular për pacientët me Kovid-19 në Tetovë u kaplua nga zjarri në 8 shtator. 14 persona janë konfirmuar të vdekur. Prokurorët ende s’i kanë mbaruar hetimet, pavarësisht se po bëhen gati 4 muaj, në RMV ende nuk kanë ardhur raportet nga ekspertizat e hetuesve gjerman. Sipas një raportit nga ekspertiza e Krim-Teknikës, zjarri është shkaktuar nga kablloja e defibrilatorit.

TETOR

5 tetor Prokuroria publikoi të dhënat nga raporti i ekspertizës së Krim-Teknikës së MPB-së, sipas tyre, zjarri në Spitalin Modular të Tetovës është shkaktuar nga kablloja e defibrilatorit https://wp.me/patqqI-3d6U
5 tetor Kryeministri Zoran Zaevi nuk i pranoi dorëheqjet e ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe dhe zëvendësit të tij Ilir Hasani për tragjedinë në Spitalin Modular në Tetovë https://wp.me/patqqI-3d8e
6 tetor U mbajt Samiti për Ballkanin Perëndimor në Bërdo të Sllovenisë, Maqedonia nuk debllokoi çështjen me Bullgarinë https://wp.me/patqqI-3dcI
8 tetor Dënim me kusht dhe dënim prej 50 eurove për pronarin që ndërtoi pa leje te Q.T. Mavrovasja https://wp.me/patqqI-3diz
13 tetor Lirim me kusht për pesë protestuesit për tragjedinë e zjarrit në Tetovë, të akuzuarit pranuan fajin dhe kërkuan falje https://wp.me/patqqI-3dr1
17 tetor U mbajt rrethi i parë i zgjedhjeve lokale 2021 për herë të parë me identifikim biometrik, VMRO-DPMNE fitoi në 22 komuna, LSDM në 9, BDI në 3 https://wp.me/patqqI-3dBY
19 tetor KE e publikoi raportin e progresit për Maqedoninë e Veriut https://wp.me/patqqI-3dOG
25 tetor Partia në pushtet Lëvizja Besa zyrtarizoi bashkëpunimin me partinë opozitare Aleancën për Shqiptarët për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale https://wp.me/patqqI-3e0N
26 tetor LSDM nisi me fushatën se kandidatja për kryetare të Qytetit të Shkupit Danella Arsovska dhe bashkëshorti i saj, kanë nënshtetësi bullgare https://wp.me/patqqI-3e4K
31 tetor U mbajt rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, në Dibër do të ketë rivotim, rezultati final i të dy rretheve: VMRO-DPMNE 42, LSDM 17, BDI 11, BESA 2, ASH 2, PDSH 1, GROM 1, PDT 1, PLD/DOM 1 dhe 2 komuna i fituan kandidatë të pavarur https://wp.me/patqqI-3egd
31 tetor Pas humbjes së zgjedhjeve lokale, Zoran Zaev paralajmëroi dorëheqje nga pozita e kryetarit të LSDM-së dhe kryeministrit https://wp.me/patqqI-3ekZ
Fotografia e hartës së zgjedhjeve lokale për katër vite u ndryshua tërësisht. Opozitarja VMRO-DPMNE, e mori shumicën e komunave me të cilat deri tani ka udhëhequr LSDM, përfshirë edhe Qytetin e Shkupit. Gjithsej VMRO-DPMNE tani udhëheq me 42 komuna dhe Qytetin e Shkupit, ndërkaq LSDM me vetëm 17. Në bllokun shqiptar, BDI-ja tani udhëheq me 11 komuna, Lëvizja BESA me 2, Aleanca për Shqiptarët 2 dhe PDSH-ja me 1. Kandidatët e pavarur, do të udhëheqin me 2 komuna, Partia Demokratike e Turqve me 1, PLD/DOM 1 dhe GROM 1 komunë. Pa dështimit, kryeministri dhe lideri i opozitës, Zoran Zaev, paralajmëroi dorëheqje nga pozitat.

NËNTOR

2 nëntor Pas hulumtimit të Portalb.mk, Drejtoria për Menaxhim me Libra Amë vendosi të mos u kërkojë qytetarëve, certifikata të lindjes “jo më të vjetra se 6 muaj” https://wp.me/patqqI-3epa
5 nëntor Lideri opozitar Hristijan Mickoski njoftoi se ka shumicë parlamentare, pasi në FB publikoi fotografi me përfaqësues të ASH-së, Alternativës, Lëvizjes BESA dhe Levica https://wp.me/patqqI-3ezW
9 nëntor Qeveria e RMV-së shpalli 30 ditë gjendje krize për furnizim me energji elektrike https://wp.me/patqqI-3eFe
10 nëntor Derisa vendi është në krizë politike, kryeministri holandez Mark Rutte arriti për vizitë n Shkup https://wp.me/patqqI-3eJ2
11 nëntor Opozitës i dështoi votëbesimi ndaj Qeverisë, pasi deputeti i Lëvizjes BESA nuk u paraqit në Kuvend. Partitë opozitare akuzuan për kidnapim, Rexhepi u paraqit me video-porosi për t’i demantuar https://wp.me/patqqI-3eOm
12 nëntor Ministri Arjanit Hoxha dhe dy zëvendësministrat e Besës dhanë dorëheqje nga Qeveria, partia e përjashtoi deputetin Rexhepi https://wp.me/patqqI-3ePp
14 nëntor BDI e fitoi ASH-Alternativën në rivotimin për Dibrën https://wp.me/patqqI-3eTt
17 nëntor Masa të reja anti-kovid, të punësuarit në sektorin publik duhet të paraqesin certifikatë vaksinimi ose test PCR të cilin duhet ta paguajnë vetë https://wp.me/patqqI-3f0w
23 nëntor Tragjedi, autobusi i “Besa Trans” – Shkup që kthehej nga Stambolli, u aksidentua dhe përfshi nga zjarri në autostradën e Bullgarisë “Struma”, 45 persona humbën jetën, në mesin e të cilëve dhe 12 fëmijë, 7 persona shpëtuan – 3 ditë zie në vend, 1 në Kosovë https://wp.me/patqqI-3fcs
24 nëntor Autobusi i “Besa Trans Shkup” i cili u dogj në Bullgari nuk ka pasur licencë për transport ndërkombëtar, kompanisë së transportit iu mor licenca për punë https://wp.me/patqqI-3fin
24 nëntor Rasti në Gjorçe Petrov, Apeli e konfirmoi dënimin për Naser Eshtrefin, familja e të dënuarit do të ankohet në Supreme https://wp.me/patqqI-3fgQ
24 nëntor Nxënësit e ShF “Ismail Qemali” zhvilluan marsh për nderë 5 nxënësve të kësaj shkolle që humbën jetën në aksidentin e autobusit në Bullgari https://wp.me/patqqI-3fh3
29 nëntor Burim Sejdini u rizgjodh kryetar i Gjykatës Administrative https://wp.me/patqqI-3fuq
30 nëntor U hap konferenca ndërkombëtare katërditore “E-shoqëri.mk” e organizuar nga “Metamorfozis” https://wp.me/patqqI-3fwU
Në autostradën “Struma” në Bullgarinë Perëndimore u aksidentua një autobus nga RMV, i cili ishte duke u kthyer nga një ekskursion në Stamboll. Autobusi është përfshirë nga flakët dhe humbën jetën 45 persona, në mesin e të cilëve dhe 12 fëmijë. Për tragjedinë e madhe, në RMV u shpallën tri ditë zi, ndërkaq në Kosovë dhe Bullgari nga 1 ditë. Në ndërkohë autoritetet e vendit zbuluan se autobusi i aksidentuar s’ka pasur licencë për transport ndërkombëtar dhe ia morën lejen për punë kompanisë transportuese “Besa Trans”, e cila e kishte organizuar udhëtimin. Prokurorët bullgar kanë paralajmëruar se së shpejti do të dalin me raport nga hetimi. Gjithashtu edhe Prokuroria e RMV-së po heton punën e kompanisë. Autobusi i aksidentuar në Bullgari, foto nga BTV, Ladislav Cvetkov

DHJETOR

1 dhjetor Reshat Qahili u zgjodh ushtruesi i detyrës së rektorit në UT https://wp.me/patqqI-3fC0
1 dhjetor Prej sot një qese plastike do ta paguani 15 denarë https://wp.me/patqqI-3ftZ
3 dhjetor Në Aeroportin e Shkupit, me nderime dhe protokoll shtetëror u pritën viktimat e aksidentit në Bullgari, nderime dhanë funksionarë të lartë shtetëror nga vendi dhe rajoni https://wp.me/patqqI-3fG7
5 dhjetor Pas disa takimeve mes Zoran Zaevit dhe Afrim Gashit, u formalizua që opozitarja Alternativa të hyjë në Qeveri https://wp.me/patqqI-3fKg
6 dhjetor Zëvendës ndihmës sekretari i shtetit të SHBA-së, Gabriel Escobar për vizitë në Shkup zhvilloi takime me funksionarët e vendit https://wp.me/patqqI-3fMF
9 dhjetor U mbajt Samiti për Demokraci nën organizimin e SHBA-së, pjesëmarrës edhe presidenti i RMV-së https://wp.me/patqqI-3fXZ
12 dhjetor Dimitar Kovaçevski u zgjodh kryetar i ri i LSDM-së, Pasi paraprakisht Zaev dha dorëheqje https://wp.me/patqqI-3g70
15 dhjetor Për herë të parë një president i RMV-së viziton Kosovën, Stevo Pendarovski në Prishtinë https://wp.me/patqqI-3gaE
16 dhjetor Bullgaria e përsëriti veton ndaj RMV-së për fillimin e bisedimeve RMV-BE, në mbledhjen e Këshillit për Punë të Përgjithshme https://wp.me/patqqI-3g9F
20 dhjetor Kuvendi e miratoi ligjin që e diela të jetë ditë jopune https://wp.me/patqqI-3go7
22 dhjetor Zoran Zaev dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit https://wp.me/patqqI-3gsy
24 dhjetor Varianti i COVID-19 “Omicron”, arriti në Maqedoninë e Veriut https://wp.me/patqqI-3gAI
29 dhjetor Kryetari i ri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski e mori mandatin për formimin e Qeverisë së re në RMV https://wp.me/patqqI-3gIH
29 dhjetor Apeli për së dyti herë miratoi vendim skandaloz, Sasho Mijallkov doli nga paraburgimi https://wp.me/patqqI-3gN2

Pasi opozitës i dështoi votëbesimi ndaj qeverisë, Alternativa opozitare iu bashkua shumicës qeveritare për ta zëvendësuar Lëvizjen Besa, e cila doli nga koalicioni qeveritar. Lideri i ri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski pritet të bëjë rikonstruim të qeverisë, shumë prej funksionarëve të lartë kanë paralajmëruar se do të tërhiqen nga pozitat. Opozita vazhdon të kërkojë zgjedhje, pasi që sipas tyre, me humbjen e zgjedhjeve lokale, qeveria aktuale e ka humbur legjitimitetin te populli

LEXO MË SHUMË

Exit mobile version