Site icon PORTALB

Borrell: Bullgaria duhet të jetë më fleksibile në çështjen e zgjerimit të BE -së

Josep Borrell

Shefi i diplomacisë së BE-së Josep Borrell tha se Bullgaria duhet të jetë më fleksibile në çështjen e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, përcjellë Portalb.mk.

Bullgaria, kujton agjencia e lajmeve “Reuters”, ndalon hyrjen në BE të Maqedonisë së Veriut, e cila është anëtare e NATO -s për shkak të mosmarrëveshjes me Shkupin për çështjen e gjuhës.

“Mendoj se Bullgaria duhet të tregojë fleksibilitet më të madh për këtë çështje, e cila po bllokon fillimin e bisedimeve të pranimit”, deklaroi Borrell në një ngjarje në Madrid.

Paraprakisht këtë jave, në Samitin e Bërdos, liderët e Bashkimit Evropian prej 27 vendesh u zotuan për anëtarësim në Ballkanin, duke përsëritur premtimet e bëra 18 vjet më parë, por duke refuzuar të caktonin 2030-n si datën e fundit të pranimit, nga frika e një reagimi të ashpër në vendet e tyre për shkak të migrimit.

Ndërkohë presidenti bullgar Rumen Radev në po të njëjtin Samit tha se nuk do të ketë “po” për Maqedoninë e Veriut derisa Shkupi nuk pranon të vërtetën historike siç bëri me Greqinë.

Bullgaria nga fundi i vitit 2020, bllokoi fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE -së dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Të dy vendet nënshkruan Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017, por përfaqësuesit e të dy vendeve kanë fajësuar njëri -tjetrin për shkeljen e marrëveshjes.

Exit mobile version