Site icon PORTALB

Filluan trajnimet e përfaqësuesve të ministrive dhe institucioneve publike, në kuadër të riorganizimit të administratës shtetërore

Foto: MSHIA

Sot, në kuadër të riorganizimit të administratës shtetërore, Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë filloi me me trajnimin e përfaqësuesve të ministrive dhe institucioneve publike, transmeton Portalb.mk.

“Pas zbatimit të analizës funksionale horizontale dhe përgatitjes së raporteve të riorganizimit ku u krijua struktura e re organizative e organeve shtetërore, agjencive dhe shërbimeve inspektuese në nivel qendror, ky trajnimi synon të krijojë kapacitete administrative që do të kenë kompetenca për të kryer auditimi i tij, kur lind nevoja”, tha ministri Shaqiri gjatë fjalimit të tij.

Ndër të tjera ai theksoi rëndësinë e këtij trajnimi dhe shtoi se janë angazhuar ekspertë për të ofruar ndihmë dhe për të trajnuar mbi proceset që pasojnë.

“Kjo fazë do të tregojë në praktikë efektet e këtij procesi, por gjithashtu do të jetë një shembull pozitiv dhe nxitje për të vazhduar zbatimin e riorganizimit të plotë në sistemet e tjera ministrore dhe Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë”, thuhet në kumtesën e MSHIA-s.

Sipas premtimeve të autoriteteve, me këtë projekt do të mundësohet që ministritë të jenë institucione krijuese të politikave, agjencitë të jenë organe të cilat zbatojnë politika, dhe inspektoratet të kenë funksion vëzhgues. Sipas premtimeve të MSHIA-së, nuk do të ketë më përzierje të kompetencave mes institucioneve dhe pritet që të zvogëlohet numri i institucioneve dhe të punësuarve.

IPA projekti ka filluar në nëntor të vitit 2019, por paraprakisht janë zbatuar analiza fillestare dhe lokalizimi i institucioneve dhe kornizës ligjore, me mbështetje prej donatorëve tjerë. Projekti ka buxhet prej 1.7 milionë euro, në kuadër të projektit IPA, gjegjësisht financimi është siguruar tërësisht prej parave të Komisionit Evropian.

Projekti i këtillë është premtuar nga, ish ministri i MShIA-së, Damjan Mançevski në qershor të vitit 2017-të i cili tha se “nuk do të ketë shkarkim nga administrata shtetërore, por do të bëhet riorganizim për efikasitet më të madh”.

Në letrën mandatuese të kryeministrit Zoran Zaev, të cilën ia ka dërguar pasardhësit të Mançevskit, Jeton Shaqiri, riorganizimi dhe optimizimi i administratës është i theksuar në pikë të parë.

Reformat në administratë publike vazhdojnë të jenë njollë e zeze e Maqedonisë së Veriut pasi që vazhdimisht ndërrohen pushtetet, por problemet vazhdimisht i lënë të kalben brenda institucionit i cili duhet të sigurojë departizim të administratës; ta shkurtojë numrin e madh të institucioneve dhe të punësuarve në sektorin publik; të sigurojë shërbime efikase, të shpejta dhe cilësore.

Exit mobile version