Për të njëjtën temë ka folur edhe Presidenti Stevo Pendarovski në paraqitjen e mbrëmshme në emisionin “Rruga drejt” Alsat M. Ai tha se jemi keq në betejën kundër korrupsionit dhe nuk kemi kapacitete për vetting.

Sipas tij, sistemi gjyqësor në vend jep rezultate të dobëta, por siç thekson ai nuk është i vetmi përgjegjës për luftën kundër korrupsionit.

“Sjellja jonë, e politikanëve në nivel lokal dhe qendror për nepotizëm, tenderë, oferta, është gjeneratori kryesor që korrupsioni të jetë në përmasa të tilla. Për të qenë i sinqertë, perceptimi i korrupsionit është korrigjuar mjaft si vlerësim, por nuk mjafton as në kuadrin e Ballkanit Perëndimor. Duhet të jemi më të mirët në Ballkanin Perëndimor dhe të fillojmë të matemi me mesataren evropiane. Jemi larg mesatares”, theksoi presidenti.

Ai është pro vettingut, por pyet se kush do ta zbatojë.

“Për vettingun, pyes kush do ta zbatojë? Cilin trup? A është i njëjti material njerëzor që çoi në këtë besim tetë për qind në gjyqësor? Është më mirë të tregojmë me shembull personal se jemi të fokusuar që të kemi zero tolerancë ndaj korrupsionit, së pari në vendin tonë dhe në mjedisin tonë të afërt”, tha Pendarovski.

Pendarovski paralajmëroi se mund të kandidojë për mandat të dytë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

“Nëse qytetarët janë të kënaqur me mandatin tim, deri në vitin 2024, dhe sigurisht nëse marr mbështetje politike nga koalicioni që më ka përkrahur në dy herët e kaluara, do të mendoj për këtë temë”, tha Pendarovski.