Site icon PORTALB

Kush do të udhëheq dhe kush do të marrë pjesë në negociatat e Maqedonisë me Bashkimin Evropian?

Eurointegrime, negociata, be rmv, bashkimi evripian

Foto: MPJ

Tani që Maqedonia e Veriut e ka filluar hapin e parë të procesit negociues, ende nuk dihet se si do të organizohet hapja e kapitujve dhe se kush do të jenë personat që do të udhëheqin me këtë proces. Vendi ende ndodhet në fazë të konsultimit intenziv, njoftuan për Portalb.mk nga Sekretariati për Çështje Evropiane.

“Sa i përket strukturës së negociatave, aktet e miratuara në vitin 2019 janë në fazën e rishikimit me qëllim të reflektimit të risive që dalin nga metodologjia e re. Në rrjedhë e sipër janë janë knsultimet intensive ndërinstitucionale dhe pritet që struktura e re të prezantohet në fund të gushtit ose në fillim të shtatorit, sipas metodologjisë së re. Qëllimi është që struktura të bëhet më e thjeshtë, më funksionale, sepse duhet të japë rezultate në një periudhë të shkurtër kohore, pasi skriningu do të jetë shumë intensiv”, shpjeguan nga SÇE.

Nga ky institucion theksojnë se në strukturë do të përfshihen zyrtarë shtetëror, veçanërisht ata me përvojë në procese, por edhe kuadro të rinj dhe do të ketë mundësi të angazhohen ekspertë dhe profesionistë jashtë institucioneve, pasi ka shumë nëntema për të cilat do të jetë i nevojshëm publiku profesional dhe kontributi i tyre.

“Angazhimi dhe synimi ynë është të ofrojmë strukturë cilësore dhe efikase që do të mund të përballojë sfidat e procesit të negociatave. Ajo që është sigurisht e rëndësishme është që t’i përmbahemi parimeve që ky proces të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent dhe se do të sigurohen mekanizma për përfshirjen e sektorit civil, komunitetit të biznesit, komunitetit akademik dhe të gjithë aktorëve të tjerë që mund të kontribuojnë në proces”, thonë nga SÇE.

Sipas metodologjisë së re për negociatat e anëtarësimit, skriningu fillon me Klasterin vlerat themelore dhe fokusi do të jetë në përgatitjen e tre udhërrëfyesve që do të duhet të pasqyrojnë angazhimin politik për zbatimin e reformave strategjike kyçe përmes përcaktimit të qëllimeve afatshkurtra dhe afatmesme.

Skriningu është element thelbësor i procesit të negociatave pasi do të na japë një pasqyrë të qartë se ku qëndrojmë dhe çfarë duhet të bëjmë në vitet në vijim në mënyrë që të zbatojmë reformat nga agjenda e BE-së, duke përfshirë përafrimin me ligjin dhe standardet evropiane, ndërtimin e kapaciteteve administrative dhe zbatimi efektiv të legjislacionit të harmonizuar.

Paralelisht me këtë proces organizimi, vendi nga ana tjetër duhet t’i plotësojë parakushtet për hapjen e kapitujve, dhe më i rëndësishmi është ndryshimi i kushtetutës dhe përfshirja e bullgarëve në të.

Ndryshimi i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut bëhet me 80 vota deputetësh dhe për këto ndryshime duhet të marrë pjesë edhe opozita maqedonase, e cila e kundërshton një nismë të tillë.

Hapja e Kushtetutës, ndërkohë dhe përfshirja e bullgarëve dhe pakicave tjera në të do të zgjidhë edhe çështje tjera të hapura në Maqedoninë e Veriut, siç është edhe formulimi i gjuhës shqipe, e cila në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut është e shkruar si “gjuha që e flasin mbi 20% e popullatës dhe që është e ndryshme nga maqedonishtja”. Megjithatë ende nuk dihet sesi do të bëhet hapja e Kushtetutës duke mos pasur numrin e mjaftueshëm të deputetëve për të votuar.

Ndryshe, pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Exit mobile version