Site icon PORTALB

Petkov: Rruga evropiane është e vetmja për Maqedoninë e Veriut

Kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov

Kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov, foto: Qeveria e Bullgarisë

Në një intervistë për BTV, kryeministri bullgar në dorëheqje Kirill Petkov e vlerësoi jashtëzakonisht të mirë propozimin francez të Bashkimit Evropian, në të cilin, sipas tij, pranohen qëndrimet bullgare, shkruan 360 Shkallë, transmeton Portalb.mk.

Ajo që po ndodh tani në Maqedoninë e Veriut, thotë Petkov, është sepse për momentin është shumë e vështirë që t’i pranojnë ato pozicione. Por, siç thotë ai, duhet ta bëjnë nëse duan të zgjedhin rrugën evropiane.

“Maqedonia e Veriut duhet të kuptojë se nëse duan të zhvillohen, rruga evropiane është e vetmja rrugë për atë vend. Do të ishte e tmerrshme nëse Shqipëria do të vazhdonte procesin për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe Maqedonia e Veriut do të mbetej jashtë tij”, tha Petkov.

Ai vlerësoi edhe ministren e Punëve të Jashtme Teodora Gençovska dhe anëtarët e ekipit të tij për politikë të jashtme për punën në këtë çështje.

Duke komentuar dështimin për të formuar një qeveri të re, ai thotë se në Bullgari tema e Maqedonisë së Veriut përdoret si shpërqendrim. Sipas Petkov, tema e Maqedonisë së Veriut ishte një shpërqendrim derisa dikush po përpiqej të merrte burime të caktuara financiare nga Agjencia për rrugë dhe autostrada dhe të shpenzonte shuma të mëdha parash.

Ndryshe, propozimi francez në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut pas takimit të mbajtur me partnerët e koalicionit më 1 korrik, në formë integrale në ueb-faqen e saj e ka publikuar propozimin nga presidenca franceze për tejkalimin e çështjeve mes RMV-së dhe Bullgarisë, me qëllim që t’i hapet rrugë fillimit të bisedimeve me Bashkimin Evropian. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, këtë propozim e ka vlerësuar si më të favorshëm se sa parapraku, të cilin e refuzoi në Bruksel.

Presidenti, Stevo Pendarovski, propozimin e modifikuar të presidencës franceze të BE-së e ka vlerësuar si të pranueshëm.

Por, kështu nuk mendon opozita maqedonase. Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pas takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski tha se i ka ofruar që nëse e refuzon propozimin francez, ai do të heqë dorë nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kovaçevski tha se ky propozim përfundimtar evropian mundëson fillimin e pakushtëzuar të bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me BE.

Opozita shqiptare e mbështet propozimin, ndërkaq partitë e vogla të koalicionit kërkojnë që i njëjti të ndryshohet.

Pos vendeve evropian, edhe SHBA përshëndet diskutimin për propozimin e rishikuar francez për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE me Maqedoninë e Veriut.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Exit mobile version