Macroni RMV-së: Dinjiteti juaj nuk do të vihet kurrë në pikëpyetje, zgjedhja është e juaja

Maqedonia e Veriut përsëri po përballet me një moment kyç në historinë e saj. Shtatëmbëdhjetë vjet pas marrjes së statusit kandidat, sapo është hapur një mundësi historike: hyrja në fazën aktive të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Zgjedhja është e juaja, thuhet në mesazhin e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, të publikuar nga Ambasada franceze në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Ju takon juve, thotë Macron, të merrni vendimin që do të formësojë të ardhmen e Maqedonisë së Veriut, për të cilën, siç thotë ai, është i bindur se vendosmëria e saj është të jetë plotësisht pjesë e familjes evropiane.

“Tani ju takon ju maqedonasve të deklaroheni. Fuqia për të ndryshuar rrjedhën e historisë është tani në duart tuaja. Nuk do t’ju them se kjo marrëveshje është e përsosur, por do të pastrojë rrugën tuaj evropiane. Si çdo marrëveshje, edhe kjo bazohet në kompromise dhe ekuilibër. Kjo marrëveshje nuk e vë në dyshim ekzistencën zyrtare të gjuhës maqedonase, e cila është pjesë përbërëse e identitetit tuaj”, tha Macron.

Në këtë marrëveshje, thekson Macron, specifikohet Marrëveshja e Miqësisë me Bullgarinë e vitit 2017.

“Propozimi garanton zbatimin e mirë të saj, në emër të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, të cilat bazohen në vlerat evropiane. Në fund, bëhet fjalë për rishikim të Kushtetutës me qëllim të integrimit të komuniteteve të reja në të. Vendi juaj është tashmë shembull i bashkëjetesës në Evropë. Kuvendi i Maqedonisë do të duhet të deklarohet”, thekson presidenti francez në mesazh.

Më në fund, thekson ai, ka ardhur koha që të gjithë të veprojnë, me përgjegjësi dhe vlerësim të plotë të peshës dhe pasojave të veprimeve të tyre.

“Ju, populli maqedonas, keni treguar guxim dhe mençuri të madhe politike që nga fitimi i pavarësisë. Në vitin 2001, ju përfunduat Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, simbol i suksesit të mundshëm të një shoqërie multietnike. 18 vjet më vonë ju arritët të gjeni fuqinë për të nënshkruar Marrëveshjen e Prespës dhe u bëtë aleati i tridhjetë i NATO-s. Keni fituar respektin e të gjithë Evropës. Dinjiteti juaj si popull maqedonas është fituar: ai kurrë nuk do të vihet në dyshim. Edhe një herë, ka ardhur koha për të bërë një zgjedhje dhe ne jemi në anën tuaj për t’ju inkurajuar të hidhni një hap të ri”, porositi presidenti francez.

Keni, kujton ai, statusin e kandidatit që nga viti 2005 dhe zgjati shumë. Prandaj, sfida tani është të hyni në një fazë të re të procesit tuaj të integrimit.

“E dimë se me kalimin e kohës, vonesave dhe vështirësive, kjo perspektivë evropiane është bërë objekt dyshimi. Jam plotësisht i vetëdijshëm për thellësinë dhe ndjeshmërinë e çështjeve që duhet të zgjidhen ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Gjatë presidencës franceze të Këshillit të Bashkimit Evropian, si dhe gjatë presidencës gjermane, portugeze dhe sllovene, nuk kurseva asnjë përpjekje për të gjetur një zgjidhje që do të respektonte interesat dhe dinjitetin e të dyja palëve”, thuhet në mesazhin e Macron.

Në Bullgari, projekt-marrëveshja ishte objekt debati intensiv. Por në fund, tha Macron, Kuvendi bullgar dinte të merrte përgjegjësinë, me votë të gjerë dhe ndërpartiake.

Propozimi francez në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button