Site icon PORTALB

RMV, prej sot hyrja në vend vetëm me certifikatë vaksinimi dhe me test

Maqedoni, Shkup, foto: Ardit Ramadani.

Maqedoni, Shkup, foto: Ardit Ramadani.

Prej sot, 1 shtator, shtetasit tonë dhe të huajt në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të mund të hyjnë nëse paraprakisht në vendkalimin kufitar paraqesin certifikatë/vërtetim për imunizim (vaksinim) nga virusi SARS-CoV-2, gjegjësisht se kanë pranuar të paktën dy doza vaksine kundër sëmundjes infektive kovid-19, certifikatë/vërtetim se e kanë kaluar kovid-19 në 45 ditët e fundit, duke llogaritur nga dita e shërimit, ose me vërtetim mjekësor me rezultat negativ të testit PCR, i bërë 72 orë para hyrjes në vend, transmeton Portalb.mk.

Për qytetarët tanë, të cilët do të kthehen në vend pas 1 shtatorit dhe nuk kanë test PCR, ose certifikata për vaksinim ose se e kanë kaluar kovid-19, me vendim të inspektorati Sanitar dhe Shëndetësor Shtetëror do të përcaktohet masë karantine prej 7 (shtatë) ditësh izolim në shtëpi.

Shtetasit e huaj që kalojnë transit nëpër vendin tonë do të mund ta bëjnë këtë brenda 5 orëve duke nënshkruar paraprakisht një deklaratë, në momentin e hyrjes në vend, të cilën ata do të duhet ta dorëzojnë para kontrollit kufitar në dalje nga vendi.

Këto masa, vijnë si pasojë e rritjes së vazhdueshme të numrit të të infektuarve dhe të vdekurve njëkohësisht dhe mbingarkimit të spitaleve. Vetë dje u regjistruan gjithsej 870 raste të reja me Covid-19 nga 5 844 testime të kryera, u shëruan 661 ndërsa 37 vdiqën. Numri i rasteve aktive në vend është 14,249.

Exit mobile version