Site icon PORTALB

VMRO-DPMNE: Carovska t’ua kthejë nxënësve paratë për dëftesat dhe të mbajë përgjegjësi

Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Velika Stojkova – Serafimovska

Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Velika Stojkova – Serafimovska

Pas lajmit të Portalb.mk në lidhje me shkollat që bëjnë “pazar” me dëftesat të cilat ligjërisht janë falas për nxënësit dhe konfirmimin nga ana e Inspektoratit të Arsimit, pas përfundimit të inspektimi disa ditor në katër shkolla të mesme të RMV-së deputetja e opozitares VMRO-DPMNE-së, Velika Stojkova – Serafimovska në një konferencë për shtyp theksoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës e ka vonuar dhënien e dëftesave për nxënësit, ndërkaq në disa shkolla madje janë detyruar nxënësit t’i paguajnë të njëjtat, që është në kundërshtim me ligjin, njofton Portalb.mk.

“Të jetë skandali më i madh, nxënësve u janë kërkuar nga 200 denarë për dëftesat dhe nëse llogaritet prindërit, paaftësinë e Carovskës do ta paguajnë me 30 milionë denarë nga xhepat e tyre. Nëse merret parasysh se sipas ligjit për shkollë fillore dhe të mesme arsimi është falas, kjo do të thotë se pushteti po e shkel ligjin. Për atë kërkojmë përgjegjësi. Qeveria dhe Carovska duhet menjëherë që t’i refundojnë mjetet e nxënësve që i kanë paguar, por edhe të bartin përgjegjësi morale dhe politike për këtë vjedhje të turpshme të popullit në këtë krizë”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Ndryshe, Inspektorati i Arsimit konfirmoi se në dy prej katër shkollave që ishin objekt i inspektimit, është vërtetuar shitja e dëftesave. Megjithatë, përkundër kësaj asnjë masë konkrete nuk është ndërmarrë kundër shkollave, atyre thjesht u është “sugjeruar” të ua kthejnë paratë nxënësve.

Varësisht nga shkolla, ndryshonin edhe çmimet për marrjen e dëftesave të cilat ligjërisht duhet të jenë pa pagesë, një vit më herët, Portalb.mk publikoi dëshmi se si profesorët kërkonin para nga nxënësit për këtë.

Ankesat e nxënësve për këtë fenomen nuk kishin të ndalur as këtë vit, për këtë, nga Inspektorati i Arsimit vendosën që të kryejnë inspektim në katër shkolla të mesme të akuzuara.

Exit mobile version