Site icon PORTALB

Furgonat që (nuk) i ndaluan, vazhdojnë të transportojnë njerëz në Tetovë (FOTO)

Furgonat në Tetovë.

Furgonat përdoren për transport publik në Tetovë.

Zbrazëtirat ligjore janë bë shkak që furgonat të cilët kryejnë transport të organizuar në Komunën e Tetovës të vijojnë me aktivitetin e tyre, kamera e Portalb zbuloi edhe pikë ndalesat e reja të tyre. Edhe pse 10 ditë më herët një gjë e tillë “u ndalua” nga Qeveria e RMV-së, policët jo zyrtarisht na thanë se nuk ka bazë ligjore për dënimin e të njëjtëve, shkruan Portalb.mk.

U vendos që të ndërpritet transporti publik dhe privat, më saktë të gjitha hyrjet dhe daljet në Tetovë nga komunat e Pollogut dhe të Shkupit (kjo ndalesë vlen vetëm për transportin e organizuar me autobusë dhe furgonë)” kështu thuhet në vendimin  të marrë dhjetë ditë më herët me propozim të Shtabit Komunal të Komunës së Tetovës.

Gazetari  i Portalb.mk ishte sot në teren për të inspektuar se a respektohet kjo masë, në rrugët e Tetovës shiheshin shumë furgon të cilët transportojnë njerëz prej fshatrave përreth. Megjithatë, rruga ku para disa ditëve ishte plot me furgon, sot dukej e pastër.

Vendi ku më herët grumbulloheshin furgonat.

Përderisa pikë ndalesa e vjetër ishte e pastër, aty këtu kishte polic të cilët vazhdimisht kalonin për të inspektuar të njëjtën, vetëm disa metra më larg këta transportues i zbarkonin udhëtarët e tyre.

Vendi i ri ku zbarkohen njerëzit nga furgonat.

Në bisedë e sipër me një nga policët e qytetit të Tetovës, ai jo zyrtarisht na tregoi se edhe policët kanë rënë në hall, për shkak se përveç vendimit të Qeverisë së RMV-së për ndalesë të transportit publik, nuk ka dekret ligjor i cili sanksionon shkelësit e këtij vendimi.

“Përveç vendimit të cilin e miratoi Qeveria e RMV-së, nuk ka dekret ligjor i cili rregullon dënueshmërinë e shkelësve të kësaj mase për parandalimin e përhapjes së virusit korona. Mere për shembull nenin 206, i cili bukur mirë e rregullon mënyrën dhe formën e dënimit të personave të cilët e shkelin orën policore, një gjë të tillë nuk ka për këta shkelës, siç janë shoferët e furgonave” I tregoi një nga policët gazetarit të Portalb.mk.

Komuna e Tetovës.

Kurse nga Komuna e Tetovës, të cilët edhe janë propozues të kësaj mase restriktive për ndalesë të transportit të organizuar, potencojnë rëndësinë e respektimit të kësaj mase e cila sipas tyre, ka për qëllim uljen e kurbës të të infektuarve në këtë rajon.

“Shtabi i krizës pranë komunës së Tetovës për luftë kundër COVID19 para 12 ditëve propozoi tek qeveria e RMV masën restriktive për ndalesë të transportit të organizuar (autobusë dhe furgonë) nga komuna e Tetovës në[ komunat përreth si dhe anasjelltas.
Kjo masë restriktive ka për qëllim reduktimin e numrit të qytetarëve të cilët udhëtojnë nga njëra komunë në tjetrën, duke marrë parasysh faktin se edhe në komunat përreth në periudhën e kaluar u rrit dukshëm numri i të infektuarve me COVID19, dhe pikërisht ky transport i pakontrolluar në këtë kohë  të pandemisë globale shëndetësore paraqet faktor real rreziku.

Jemi të vetëdijshëm që një ndalesë e tillë është pengesë për punëtorët që jetojnë në fshatr por punojnë në Tetovë, por në situatën në të cilën gjendemi shëndeti i qytetarëve mbetet çështje me prioritet më të madh kundrejt të gjitha pasojave të tjera dytësore. Besojmë se me relaksimin e masave restriktive dhe uljen e numrit të të infektuarve edhe kjo masë do të pësojë liberalizim gradual nga ana e organeve kompetente në vend” thanë nga Komuna e Tetovës.

U munduam të kontaktojmë edhe me Qeverinë e RMV-së mirëpo nga atje nuk morëm përgjigje për këtë, sa ju përket shoferëve të furgonave, të njëjtit në momentin kur e kuptonin se bisedojnë me një gazetar, largoheshin për shkak se nuk kishin dëshirë të prononcohen.

Ndryshe, sot është evidentuar edhe një rast i ri me virusin korona në Tetovë me rrethinë, kështu numri i përgjithshëm i të infektuarve në këtë rajon ka arritur në 76, nga të cilët 24 persona janë shëruar kurse 4 kanë ndërruar jetë.

Exit mobile version