Site icon PORTALB

Në Tetovë me rrethinë ka 57 të infektuar, prej nesër vlejnë masat e reja

Sot nga gjithsej 18 raste të reja të evidentuara me virusin korona në RMV, dy prej tyre janë nga Tetova me rrethinë, kështu numri i të infektuarve në këtë rajon ka arritur në 57 duke bërë që Tetova me rrethinë të jetë në vendin e 5 për nga numri i të infektuarve në shtet, njofton Portalb.mk.

Në Tetovë me rrethinë numri i të infektuarve me virusin korona pëson rritje të ngadalshme, edhe atë çdo ditë rezultojnë nga dy apo tre persona të infektuar, kështu duke bërë të mundur edhe për sistemin shëndetësor të përballoje me sukses trajtimin e pacientëve.

Në këtë periudhë, numri i personave të vendosur në karantinë shtetërore në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit, është 210,  edhe atë 62 në Tetovë dhe 148 në Gostivar ndërsa numri i personave evidentuar në vetë-izolim ndaj të cilëve pjesëtarët e policisë kanë kryer kontroll për mbikëqyrje është 253, Tetovë 180 dhe Gostivar 73, ndërsa personat që janë në mbikëqyrje me vendim të Inspektoratit Shtetërorë Sanitar është 328, Tetovë 301 ndërsa Gostivar 27.

Masat e veçanta për Tetovën do të vlejnë prej nesër

Qeveria e RMV-së në mbledhjen e 43-të të zhvilluar online, shqyrtoi dhe miratoi propozimet e shtabit të krizës për masat që duhet të merren në të ardhmen për t’u përballur me pandeminë dhe pasojat e saj. Për qytetet: Tetovë, Kumanovë dhe Prilep u vendos që të merren masa të veçanta si rezultat i shtimit të numrit të rasteve në këto qytete.

Një pjesë e donacioneve nga pajisjet mbrojtëse që Maqedonia e Veriut i ka pranuar t’u jepen komunës së Tetovës, Kumanovës dhe Prilepit.

Ndryshe, sot janë evidentuar edhe 18 raste të reja me virusin korona në RMV, kështu numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 1225 kurse jetë kanë ndërruar gjithsej 54 persona, të shëruar në shtet ka 200 persona kurse 971 raste janë aktive.

Exit mobile version