Site icon PORTALB

“Ahmeti do të shpëtojë nga bombat”, Zaevi dhe Janeva me deklarata kontradiktore

Ahmeti - Janeva - Zaev

Ahmeti - Janeva - Zaev

“Askush nuk do të shpëtojë”, ka thënë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, duke u kundërpërgjigjur reagimeve të publikut, se me ligjin e ri të Prokurorisë Speciale Publike (PSP), do të shpëtojë bashkëqeverisësi, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, transmeton Portalb.mk.

Ndryshe nga Zaev, prokurorja Speciale, Katica Janeva ka deklaruar se është e mundur që dikush të shpëtojë me ligjin e ri.

“Mundet dikush të shpëtojë, kurse dikush tjetër të akuzohet në mënyrë shtesë. Por ne në thelb jemi të kënaqur, sepse na janë zgjeruar kompetencat. Nuk jemi të kufizuar vetëm në “bombat”, sepse në periudhën që e kemi analizuar, ka edhe shkelje të tjera të Kodit Penal”, tha Janeva.

Kryeministri Zaev, duke folur më tej, ka deklaruar se të gjitha rastet për të cilat ka dëshmi, do të vazhdojnë.

“Të gjitha rastet për të cilat ka dëshmi do të vazhdojnë, dëshmitë janë të gjalla dhe të shëndosha, ato ekzistojnë, nuk munden të shkatërrohen, të fshihen”, tha Zaevi, i cili më pas shprehu besimin se do të arrijë të sigurojë konsensus për miratim të Ligjit në Kuvend, 2/3 e votave “për”.

Zaevi ka sqaruar, se për rastet që ka dëshmi, ato do të transferohen në Prokurorinë Themelore Publike (PTHP), dhe më pas në PSP-në re për Korrupsion të Lartë dhe në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

“Lëndët do të shpërndahen në mënyrë adekuate, sepse dëshmitë ekzistojnë. Ligji është cilësor, dhe në përpilimin e tij kanë marrë pjesë ekspertë vendor dhe të huaj”, tha Zaevi.

“Bombat” e PSP-së nuk do të jenë dëshmi në hetimet kundër Ahmetit, Osmanit, Stavreskit, Milloshoskit…

Përndryshe, Ligji i ri për Prokurorinë Speciale me të cilën rregullohet statusi i PSP-së, parasheh që “bombat” të vlejnë vetëm për lëndët për të cilët Prokuroria Speciale i ka hapur deri më 20 qershor të vitit 2017. Kjo nënkupton që pas atij afati, “bombat” nuk do të shfrytëzohen si dëshmi në procedurë gjyqësore.

Neni 105 nga Ligji për Prokurori parashikon: Materialet nga ndjekja e paligjshme e komunikimeve Prokuroria Speciale mund t’i përpunojë më së voni deri më 15.09.2020 dhe të njëjtat do të shfrytëzohen si dëshmi vetëm në lëndët për të cilat është ngritur akuzë pas 30 qershorit të vitit 2017.

Për shembull, në hetimin në të cilin është i akuzuar lideri i BDI-së, Ali Ahmeti në lidhje me dështimin e regjistrimit të popullatës, ndërkaq është hapur më 21 mars të vitit 2018 “bombat” nuk do të vlejnë si dëshmi në procedurë gjyqësore. “Bombat” nuk do të jenë dëshmi as në hetimin “Pacienti”, ku i dyshuar është zv/kryeministri Bujar Osmani, por edhe për të gjithë hetimet e hapura pas dorëzimit të akuzave.

Pa “bomba” si dëshmi do të vazhdonte edhe më tej edhe hetimi për ish ministrin e Financave, Zoran Stavreski në lëndën “Dhurata”, por edhe për ish drejtorin ekzekutiv të “T-mobile”, Zharko Llukovski, në hetimin “Stacionet bazë”. Në hetimin “Harmonia”, ku në mesin e të dyshuarve është Stevço Jakimovski dhe “I fuqishmi” ku i dyshuar është deputeti Antonijo Milloshkoski, “bombat” sipas zgjidhjes ligjore nuk do të jenë dëshmi në procedurë. PSP patjetër do të duhet që fajin ta dëshmojë me materiale tjera, dëshmi dhe ekspertiza.

Exit mobile version