Site icon PORTALB

Publikimi i ligjeve në Gazetën Zyrtare, përplasje mes Xhaferit dhe Ivanovit (VIDEO)

Publikimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe Ligjit e ratifikimit të marrëveshjes së Prespës në Gazetën Zyrtare ka përplasur kryetarin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov dhe kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi. Ivanov ka vlerësuar se Xhaferi ka bërë shkelje të Kushtetutës së Maqedonisë, ndërkaq Xhaferi thotë Kuvendi duhet të kërkojë përgjegjësi nga Ivanovi, transmeton Portalb.mk.

Kryetari i Maqedonisë, Gjorge Ivanov

Kryetari i Maqedonisë, Gjorge Ivanov gjatë reagimit të tij ka kritikuar koalicionin qeverisës, por edhe bashkësinë ndërkombëtare që sipas tij, e përkrahë këtë mënyrë të miratimit të ligjeve. Sipas tij ky veprim është në kundërshtim me nenin 75 të Kushtetutës së Maqedonisë.

“Mbrëmë vonë patëm mundësi që ta shohim fytyrën e vërtetë të koalicionit qeverisës LSDM-BDI që veten e llogarisin si proevropiane. Publikimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe të Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës në Gazetën Zyrtare pa nënshkrim të dekretit të presidentit të Republikës së Maqedonisë është kundërkushtetuese. Me dorëzimin e këtyre dy ligjeve në Gazetën Zyrtare është shkelur neni 75 i Kushtetutës së Maqedonisë, ndërkaq publikimi i ligjeve është bërë në mënyrë të paligjshme dhe paraqet bazë për vepër penale. Ky është moment i cili do të tregojë nëse në Republikën e Maqedonisë ekziston Gjykatën Kushtetuese, nëse funksionon Prokuroria, nëse ka pavarësi gjyqësore dhe nëse ekziston sundim të së drejtës”, thotë Ivanov.

Talat Xhaferi

Ndaj deklaratës së Ivanovit ka reaguar kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi me çka ka bërë të ditur se Kuvendi dhe deputetët duhet të ngritin procedurë ndaj tij.

“Presidenti i shtetit në fund të mandatit është duke i përzier kabllot, në çështjet që i ka. Mendoj se ai nuk është kompetent për të ngritur përgjegjësi ndaj ligjvënësit, por përkundrazi ligjvënësi dhe deputetët duhet të ngritin procedurë ndaj tij”, tha Xhaferi

Sa i takon mundësisë për impiçment, Xhaferi tha se ajo është përgjegjësi e deputetëve

“Impiçmenti nuk është nën kompetencë timen, mendoj se ajo është çështje e deputetëve. Dhe ata kanë mundësi të ngritin procedurë”, tha Xhaferi.

Gjorge Ivanov u bë fusnotë në Ligjin e publikuar për përdorimin e gjuhëve

Emri i presidentit Ivanov u bë fusnotë në “Gazetën Zyrtare”, pasi ai refuzoi ta nënshkruajë ligjin për përdorimin e gjuhëve.

Domethënë, pas publikimit të ligjit të gjuhëve në numrin e djeshëm në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë, menjëherë më poshtë është publikuar edhe Dekreti për shpalljen e këtij ligji, por vetëm me nënshkrimin e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi. Në vendin që është parashikuar edhe nënshkrim i presidentit të shtetit, qëndron vetëm emri i tij dhe numri “1” si shenjë për fusnotë.

Presidenti Ivanov refuzoi ta nënshkruajë këtë ligj, ndërsa Xhaferi, i cili e dërgoi për publikim tekstin e ligjit dhe zëvendësi i sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Nexhbedin Ibrahimi, shpjegojnë se presidenti i shtetit ishte i detyruar ta nënshkruajë ligjin, sepse më 14 mars 2018 për herë të dytë është miratuar me shumicën e votave të deputetëve, sipas nenit 75, paragrafi 3 nga Kushtetuta e Maqedonisë. Interesante është edhe që është nënshkruar nga zëvendës/sekretari i përgjithshëm, në vend të sekretarit të përgjithshëm, Cvetanka Ivanov.

Pjesa e dytë e fusnotës shpjegon se “për shkak të mos kryerjes së obligimeve të lartpërmendura nga ana e presidentit të Republikës” dhe për shkak obligimit të nenit 52 të Kushtetutës, kryetari i Kuvendit është i obliguar ta dorëzojë Ligjin e gjuhëve në Gazetën Zyrtare për publikim.

Exit mobile version