Site icon PORTALB

Strugë, dy burra dhe një i mitur dyshohen për keqpërdorim seksual të fëmijëve

Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Prokuroria Themelore në Strugë ka nisur hetimet kundër dy personave të moshës 56 dhe 68 vjeçare, të dyshuar për përdhunim të një vajze të mitur, shfaqjen e materialit pornografik ndaj një fëmije dhe plotësimin e dëshirave seksuale para një tjetri. Në kuadër të hetimeve, siç njoftohet, është paraqitur kërkesë për fillimin e procedimit ndaj një të mituri. Prokuroria e Strugës kërkon paraburgim edhe për personat e rritur, por edhe për personin e mitur, transmeton TV21.

Siç bëhet e ditur nga njoftimi i Prokurorisë, bëhet fjalë për tre raste të ndara.

Nga Prokuroria Publike bëjnë të ditur se gjatë hetimit të rastit me të dyshuarin e parë i cili akuzohet për përdhunim, është formuar një ekip i posaçëm i zyrtarëve policorë, ekspertëve nga Qendra për Çështje Sociale dhe ekspertëve të psikiatrisë dhe psikologjisë së fëmijëve.

“Janë siguruar provat që tregojnë se gjatë viteve 2018 dhe 2019, i dyshuari i parë në disa raste ka kryer akte seksuale ndaj një vajze të lindur në vitin 2009. Ai i ka kryer veprimet në shtëpinë e tij dhe në shtëpinë e viktimës, duke përfituar nga relacionet e ngushta dhe momentet kur prindërit e vajzës nuk ndodheshin pranë. Për këto arsye ai dyshohet për kryerje në vazhdim të veprës penale – përdhunim i një fëmije që nuk ka mbushur moshën 15 vjeçare”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Prokurorisë.

I dyshuari i dytë, sipas Prokurorisë, gjatë pranverës së vitit 2022, teksa shiste produkte ushqimore pranë një shkolle fillore, ka përfituar nga momenti kur dy vajza të lindura në vitin 2009 i kanë ardhur për të blerë ushqime dhe u ka treguar video me përmbajtje pornografike nga celularin e tij.

“Ai i ka prekur viktimat dhe i ka detyruar të kryenin akte seksuale para tij”, thonë nga Prokuroria Themelore.

I mituri i lindur në vitin 2005 dyshohet se ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me përdorim të forcës ndaj një vajze të lindur në vitin 2009.

“Viktima e ka goditur për t’u mbrojtur, pas çka ai ka filluar ta tërhiqte zvarrë dhe ta çonte pas objektit të shkollës. Viktima ka rezistuar gjatë gjithë kohës dhe ka kërkuar ndihmë. Ai e ka hedhur me forcë në tokë dhe ka filluar ta prekë, por ka ndaluar pasi janë afruar fëmijët e tjerë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Exit mobile version