Site icon PORTALB

Për vazhdim të procesit eurointegrues duhet të përshpejtohen reformat dhe të ndryshohet kushtetuta, porositën Borrell dhe Varhej në Shkup

Josep Borrel - Dimitar Kovaçevski - Oliver Varhej

Josep Borrel - Dimitar Kovaçevski - Oliver Varhej, foto: Qeveria e RMV-së

Për të shkuar përpara drejt rrugës së integrimit në Bashkimin Evropian, Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë me procesin e reformave në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, por gjithsesi edhe t’i mirëmbajë marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore dhe t’i miratojë ndryshimet kushtetuese. BE është e gatshme, Maqedonia e Veriut duhet të ndërmarrë hapa.

Kjo ishte porosia e përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Jozep Borrell dhe eurokomesarit Oliver Varhej, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, pas mbajtjes së mbledhjes së 16-të të Këshillit për Stabilizim dhe Asociim RMV – BE, e cila u mbajt sot në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, nën organizimin e BE-së, njofton Portalb.mk.

“Porosia e qartë që doli nga kjo mbledhje është se ardhmëria e Maqedonisë së Veriut dhe qytetarëve të saj është në kuadër të BE-së, pasi që vetëm bashkë jemi mjaftueshëm të fuqishëm që të përballemi me sfidat e rrethanave gjeo-strategjike. Që të arrijmë atje, ju duhet të vazhdoni të shkoni përpara, edhe si shtet, edhe si shoqëri. Që të shkohet përpara, domethënë që të vazhdohet me miratimin dhe zbatimin e reformave që sjellin standarde evropiane dhe të cilat sjellin levërdi politike dhe ekonomike për njerëzit që janë këtu. Të shkohet përpara do të thotë edhe përmirësim i marrëdhënieve me fqinjët tuaj, përfshirë edhe krijimin e kushteve për miratimin e ndryshimeve kushtetuese”, tha Borrell duke porositur se ky vit është kyç për procesin e anëtarësimit.

Varhej theksoi se është me rëndësi që shteti të mos ngadalësojë, por ta përshpejtojë punën e saj për zbatimin e reformave, veçanërisht për ato që janë në interes të qytetarëve të saj.

“Këtu, kuptohet mendojmë për klasterin themelore, ai është thelbi, palca e tërë procesit të zgjerimit, pra, sundimi i ligjit, gjyqësori i pavarur, paanshëm dhe efikas, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe krijimi dhe mirëmbajtja e themeleve të demokracisë. Kjo kuptohet, kërkon përfshirje nga të gjitha palët, nga Qeveria deri tek opozita, nga komuniteti i biznesit, deri te fakultetet e shoqëria civile. Na nevojitet bashkim kombëtar që anëtarësimi të shkojë përpara. Ne do të vazhdojmë me punën tonë nga ana jonë që ta përshpejtojmë ritmin e procesit të integrimit, ne jemi të gatshëm, por na duhet që Maqedonia e Veriut të bëjë hap të ngjashëm. Që ajo të ndodh, na duhen edhe Qeveria edhe Kuvendi ta përshpejtojnë procesin e reformave”, tha Varhej.

Kovaçevski nga ana tjetër, e ftoi opozitaren VMRO-DPMNE që të kyçet në procesin euro-integrues, pasi që duhet, ta dëshmojnë atë që deklaravisht e thonë se janë për integrim në BE.

“Një prej vendimeve që duhet ta miratojmë para anëtarësimit është miratimi i ndryshimeve kushtetuese. Ky nuk është proces i një partie apo qeverisë, por është proces i tërë shtetit. Obligim i të gjithë partive politike dhe deputetëve është që miratohen vendime, me të cilat sigurohet qëllimi strategjik i shtetit, ai është anëtarësimi në BE, ashtu sikur Kuvendi e miratoi vendimin për anëtarësim në NATO. Jam thellë i bindur se në Kuvendin tonë ka kapacitet dhe ekziston vizion që të miratohen vendimet e nevojshme, me të cilat shteti do ta vazhdojë dhe me sukses do ta mbarojë anëtarësimin në BE. Opozita është thirru që të japë ekspertë të saj në grupin punues, plotësisht opozita ka marrë ftesë që prej ditës së parë të bisedimeve që të marrë pjesë në grupet punuese për negociatat në fazën e skriningut, por edhe iu ofrua që të gjitha vendimet dhe informatat më të rëndësishme të jenë të ndara dhe prezantuara para Këshillit Nacional për Integrime në Kuvend në Komisionin që e udhëheqë opozita. Opozita duhet të mendojë në mënyrë strategjike dhe atë që e thotë deklaratavisht ta zbatojë në praktikë, deri tani nuk kemi konfirmim të tillë”, tha Kovaçevski.

Në pyetje gazetareske, eurokomesari Varhej tha se është optimist për anëtarësim e RMV-së në BE, por nuk mund të konfirmojë nëse ajo do të ndodh deri në vitin 2030, pasi që ajo varet nga Maqedonia e Veriut.

Borrellit nga ana tjetër theksoi se me procesin e anëtarësimit maqedonasit nuk e rrezikojnë identitetin e tyre.

“Nuk do të jeni më pak se sa që jeni, vetëm pse do të bëheni anëtare e BE-së. Deri tani keni punuar në avancimin e procesit të anëtarësimit dhe për zhvillimin e mëtutjeshëm është e domosdoshme t’i zbatoni përgjegjësitë që i ka marrë Maqedonia e Veriut. Mendoj se është e qartë”, tha Borrell.

11.30: Kovaçevski nga Këshilli për Stabilizim dhe Asociim në Shkup: Para nesh është mundësia e anëtarësimit në BE deri në vitin 2030

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut mbajti fjalim në fillim të Takimit të gjashtëmbëdhjetë të Këshillit për Stabilizim dhe Asociim ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, i cili filloi dhe mbahet sot në Shkup.

“Pas sfidave të shumta në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Republika e Maqedonisë së Veriut, vitin e kaluar, me guxim politik, më në fund bëri një hap historik dhe filloi bisedimet për anëtarësim, të cilat shënojnë fillimin e një faze të re cilësore në marrëdhëniet me BE-në. Ky takim i Këshillit ka dimension historik, sepse pas 22 vitesh nga nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim dhe 17 vite pas marrjes së statusit kandidat, po e mbajmë me fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, si anëtare e NATO-s”, tha Kovaçevski duke shtuar se para nesh është mundësia e anëtarësimit në BE deri në vitin 2030.

Këshilli për Stabilizim dhe Asociim në Shkup, foto: Qeveria e RMV-së

Duke pasur parasysh kryesimin me rotacion të Këshillit për Stabilizim Asociimit, takimin e sivjetshëm e kryesojnë Republika e Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ndërsa bashkëkryesues nga ana e Unionit Evropian është përfaqësuesi i lartë i BE-së për punët e jashtme dhe politikën e sigurisë dhe nënkryetar i Komisionit Evropian, Jozep Borel.

Në delegacionin e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, si dhe Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhej, si dhe përfaqësues të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe institucioneve evropiane.

10.45 – Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot në mëngjes mirëpriti dhe zhvilloi takim në Qeveri me përfaqësuesin e lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrel dhe me komisionerin evropian për Zgjerim, Oliver Varhej, njofton Portalb.mk.

Kovaçevski realizoi takimin me Borrellin dhe Varhejin para fillimit të Këshillit të 16-të të Stabilizim Asociimit ndërmjet RMV-së dhe BE-së, i cili mbahet sot në Shkup dhe të cilin do ta drejtojë nga kryeministri maqedonas.

Kovaçevski para fillimit të Këshillit, në bisedë me Varhejin dhe Borrellin, i falënderoi për kontributin e tyre, por edhe partnerët evropianë, për suksesin e përbashkët në hapjen e negociatave të vendit me BE-në korrikun e kaluar.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut është e përqendruar në agjendën evropiane, punon në zbatimin e reformave, në përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore në frymën e vlerave evropiane dhe është e përkushtuar për suksesin në hapin e ardhshëm në integrimet evropiane”, theksoi Kovaçevski gjatë takimit me përfaqësuesit evropianë.

Bashkëbiseduesit në takim kanë folur për rëndësinë e hapit të ardhshëm të vendit në integrimet evropiane, si një çështje me rëndësi për perspektivat e vendit tonë, por edhe për stabilitetin e rajonit dhe Evropës.

09.00 – Përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrell dhe eurokomesari për zgjerim, Oliver Varhej, sot po qëndrojnë në Shkup për vizitë zyrtare. Vizita e tyre është në vigjilje të mbledhjes së 16-të së sotme të Këshillit për Stabilizim dhe Asocim RMV – BE, e cila do të mbahet në Qeveri, ndërsa me të do të kryesojë kryeministri, Dimitar Kovaçevski, njofton Portalb.mk.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, mbrëmë paralajmëroi se në seancën e Këshillit për Stabilizim dhe Asocim do bisedojnë për statusin e reformave, përparimin në eurointegrime dhe për raportet bilaterale në kuadër të Marrëveshjes për Stailizim dhe Asocim.

Oliver Varhej, Bojan Mariçiq dhe Jozep Borrel. Foto: Qeveria e RMV-së

Në ora 11.40 do të mbahet konferencë për shtyp mes kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell dhe euorkomesarit Oliver Varhej.

Përfaqësuesit e BE-së, gjithashtu pritet të takohen edhe me ministren e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska.

Mbështetjen politike që e marrin vendet e Ballkanit Perëndimor, shtoi Mariçiq, duhet ta shfrytëzojnë dhe garantojnë stabilitet, paqe dhe perspektivë evropiane në rajon.

Ndërkaq, në kuadër të qëndrimit të tij në vend, Borrell  më 18 mars ai do të organizojë takimin midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut që e lehtëson blloku evropian.

Dje, gjatë konferencës për media në Tiranë, tha se pret që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të vijnë në Ohër më 18 mars, për t’u pajtuar rreth zbatimit të planit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Rreth dialogut Prishtinë-Beograd, me datën 27 shkurt, patëm takim të nivelit të lartë në Bruksel. Të dy, Kurti dhe Vuçiq, ranë dakord që nuk do të ketë diskutime të mëtutjeshme për propozimin e BE-së që do të thotë se teksti i kësaj marrëveshje është e mbyllur”, tha Borrell.

Exit mobile version