Site icon PORTALB

Shantazh, Pirateri, gjuhë të urrejtjes, Prokuroria ngriti akuzë për 5 vepra penale kundër pronarit të “Dokaz M”

Marjan Stamenkovski, foto: Profili në FB

Prokuroria Publike e Shkupit ka dorëzuar akuzë kundër pronarit të portalit “DokazM”, Marjan Stamenkovski.Bashkë me akuzën është dorëzuar edhe propozim për vazhdimin e paraburgimit të tij, i cili u arrestua më 10 shkurt të këtij viti, njofton Portalb.mk.

Prokuroria kumtoi se është dorëzuar akuzë kundër personit i cili ngarkohet se nëpërmjet ueb-portalit në pronësi të tij, ka kryer disa vepra penale – dy vepra penale “Shpërndarje të materialit racist dhe ksenofob nëpërmjet sistemit kompjuterik”, një vepër penale “Shantazh”, një vepër penale për “Pirateri të veprës audiovizuale” dhe një vepër penale “Keqpërdorim të të dhënave personale”.

Lënda është formuar pas dorëzimit të padive penale kundër Stamenkovskit nga viktimat gjatë vitit 2022 dhe fillimit të vitit 2023, të cilat kanë pasur të bëjnë me publikimet në portalin “DokazM”.

Në periudhën prej 10 janar deri më 2 shkurt të këtij viti, me qëllim që të përvetësojë përfitim të paligjshëm, Stojanovski e ka kërcënuar një të dëmtuar se do të zbulojë diçka që mund ta dëmtojë reputancionin e tij.

“Nëpërmjet një rrjeti social i akuzuari e ka kontaktuar të dëmtuarin dhe e ka ftuar në takim që ta shantazhojë se në ueb-portal do të publikojë fotografi dhe informata private për atë nëse nuk i paguhen mjete financiare. Pasi i dëmtuari ka refuzuar të takohet, në internet portalin janë publikuar disa tekste për atë, me të cilat i akuzuari e ka dëmtuar reputacionin dhe nderin e tij. Në këtë mënyrë, i akuzuari është përpjekur që të kryejë vepër penale – Shantazh”, informojnë nga Prokuroria Themelore.

Stamenkovski ka kryer edhe vepër penale “Pirateri të veprës audiovizuale”, kështu që pa miratim nga distributori i autorizuar, në ueb-portalin e tij ka vendosur në dispozicion vepër të mbrojtur audiovizuale, duke mundësuar tregimin e pakufizuar të saj, me çka ka shkaktuar dëm për një televizion.

Në portalin “DokazM” përpara disa ditëve është mundësuar që ilegalisht të shikohen dhjetëra filma të huaj, por pas arrestimit të Stamenkovskit, opsioni për shikim të përmbajtjeve pirate është larguar.

Stamenkovski është i akuzuar edhe për publikimine një serie të teksteve me të cilat disa herë ka shpërndarë urrejtje dhe padurim ndaj dy priftërinjve të Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM). Ai në tekste ka publikuar konstatime direkte se priftërinjtë janë të lidhur me shërbime të fshehte të vendit dhe jashtë vendit, me qëllim që të shkaktojë revolt dhe urrejtje kundër tyre, por edhe përçarje në komunitetin fetar.

“Në tekste janë drejtuar edhe fjalë kërcënuese me çka është nxitur populli që të shkojë dhe t’i përzë priftërinjtë nga manastiri ku shërbejnë. Stamenkovski tekstet i ka shpërndarë edhe në profilin e tij të një rrjeti social, ku ka nxitur polemika të ashpra, komente ofenduese dhe gjuhë të urrejtjes”, thonë nga PTHP.

Përveç kësaj, dy gazetare kanë dorëzuar padi penale kundër Stamenkovskit, pasi që në fillim të vitit 2022 janë publikuar tekste ofenduese me fotografitë e tyre, qëllimi final e të cilës ka qenë që ata të frikësohen dhe të pengohen të publikojnë tekste në javoren ku ata punojnë. Viktimat kanë dhënë deklarata përpara prokurorit kompetent në të cilën i kanë treguar dyshimet se prapavija e publikimeve të tilla në portalin “DokazM” është që t’u kryhet atyre trysni dhe censurë, ndërkaq Stamekovski në tekstet ka promovuar urrejtje edhe në bazë të përkatësisë etnike.

Nga Prokuroria shtojnë se në periudhën derisa është udhëhequr procedurë kundër Stamenkkovskit, ai ka shfrytëzuar njohje personale me një person të angazhuar si hetues në Prokurorinë Themelore të Shkupit dhe gjatë komunikimit në Viber ka tentuar që në mënyrë të paautorizuar prej saj të marrë informata për disa veprime hetuese në disa lëndë, duke përfshirë edhe lëndën kundër tij.

“Duke tentuar që të ndikojë ndaj procedurës kundër tij, ai në komunikim privat me hetuesen, pa pajtueshmëri ka shfrytëzuar dhe publikuar të dhëna personale dhe fotografi të katër hetuesve në PTHP Shkup, kështu që i akuzuari ngarkohet edhe për veprën penale  = Keqpërdorim të të dhënave personale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Me urdhër të siguruar nga Gjykata, javën e kaluar është kryer bastisje në shtëpinë e Marjan Stamenkovskit, gjatë së cilës është zbuluar dokumentacion, pajisje elektronike dhe shumë të madhe parash për të cilat ekziston dyshimi se kanë prejardhje prej veprave tjera penale. Për këtë është formuar edhe një lëndë në PTHP Shkup, ndërkaq në ndërkohë deri te Prokuroria edhe persona tjerë janë paraqitur se kanë qenë viktima të teksteve të “DokazM”.

Për shkak të nevojës së mbrojtjes së viktimave të cilët gjatë kohë kanë qenë të ekspozuar ndaj gjuhës së urrejtjes dhe kërcënimeve nëpërmjet internet-portalit, prokurori përkatëse deri te Gjykata Penale ka dorëzuar propozim për vazhdimin e masës së paraburgimit.

Exit mobile version