Veturat elektrike nuk lëshojnë gazra të dëmshëm, por në të gjithë ciklin jetësor të këtyre automjeteve gjërat janë krejt ndryshe. Kjo është veçanërisht e dukshme nëse energjia elektrike për punën e tyre nuk merret nga burime alternative, shkruan Autoblog, raporton Koha.net.
Kjo është pikërisht ajo që po ndodh në Gjermani, e cila kryesisht kaloi në qymyr për shkak të mungesës së gazit. Termocentralet e vjetra janë rikthyer në punë dhe në muajin e fundit 34.9 për qind e energjisë elektrike në Gjermani është prodhuar nga qymyri.
Krahasuar me vitin e kaluar, prodhimi i energjisë elektrike me qymyr u rrit me 13.3 për qind dhe konsumi i qymyrit me 19 për qind. Këtë herë Gjermania ka arritur majat për nga ndotja në prodhimin e energjisë elektrike.
Emetimet janë 535 g CO2/kWh, që është pesë herë më shumë se në Spanjë.
Në krye për sa i përket përdorimit dhe ndotjes nga qymyri (mes vendeve të BE-së) janë Bullgaria, Republika Çeke dhe Polonia.
Megjithatë, lajmi i mirë është se edhe në kushte të tilla, një veturë elektrike ndot më pak se një veturë me lëndë djegëse fosile. Diferenca nuk është e madhe, por është e dukshme dhe arrin në 27 për qind.
Ndërsa një veturë me benzinë që konsumon 6,5 l/100 km lëshon afërsisht 17.6 kg CO2 për 100 km, një veturë elektrike në Gjermani është përgjegjëse për afërsisht 12.8 kg CO2 për 100 km.