Site icon PORTALB

RMV, sipërmarrësia e të rinjve mund të ndihmojë në uljen e papunësisë së tyre

Foto: KRNM

Mbi 120 pjesëmarrës nga organizata të shoqërisë civile, përfaqësues të institucioneve dhe sektorit të biznesit, sektorit rinor, sipërmarrës të rinj dhe studentë dhe kompani të suksesshme rinore nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Turqia morën pjesë në forumin rajonal për ndërtimin partneritetet për mësim sipërmarrës, i cili u mbajt në Shkup në organizim të Këshillit Rinor Kombëtar të Maqedonisë (KRNM), transmeton Portalb.mk.

“Sipërmarrja e të rinjve është një nga zgjidhjet e shumta për uljen e papunësisë te të rinjtë. Shpresoj që nga ky forum dhe nga partneritetet që do të krijohen këtu, do të dalin zgjidhje kreative dhe inovative për promovimin e programeve që nxisin frymën sipërmarrëse te të rinjtë dhe krijojnë një mjedis të favorshëm për sipërmarrjen rinore. Por më e rëndësishmja, shpresoj se ky forum do të frymëzojë të gjitha palët e interesuara se qëllimet e mëdha mund të arrihen vetëm së bashku dhe se vetëm përmes pjesëmarrjes së konsiderueshme të të rinjve mund të kapërcehen pengesat me të cilat ballafaqohen vetë”, tha Mariana Angelova, Sekretare e Përgjithshme e KRNM.

Forumi, siç njoftoi organizatori, kishte për qëllim të inkurajojë ndërtimin e partneriteteve në rajon ndërmjet të gjithë aktorëve për mësimin e sipërmarrjes rinore . Pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë kuadrin rregullator për kompanitë rinore në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë, si dhe potencialin për partneritete strategjike për sipërmarrjen rinore.

“Jam veçanërisht i kënaqur që tema e të mësuarit të sipërmarrjes mblodhi së bashku një numër të madh përfaqësuesish nga sektori publik, privat dhe joqeveritar. Për të gjithë Ballkanin Perëndimor është shumë e rëndësishme ndërtimi i një ekosistemi për sipërmarrjeje në të cilin kompanitë rinore do të inkurajohen dhe mbështeten nga e gjithë shoqëria dhe mbi të gjitha nga institucionet. Ky është pikërisht qëllimi i projektit BY LEAP, si dhe misioni i të gjitha organizatave të përfshira në këtë projekt”, tha Darko Radicanin, drejtor ekzekutiv i Junior Achievement Serbia.

Kujtojmë që papunësia e të rinjve mbetet problem për të cilin Maqedonia e Veriut duhet të punojë shumë në këtë drejtim. Kjo është konstatuar në Raportin e fundit për vitin 2022 mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian. Të rinjtë dhe përmbushja e nevojave të tyre mbetet sfidë e cila duhet adresuar dhe zgjidhur.  Sipas raportit papunësia e të rinjve mbetet e lartë në 30.9%, mirëpo theksohet se ajo është në rënie të vazhdueshme, por që ka shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim.

Exit mobile version