Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, ka marrë pjesë në Forumin Energjetik për Evropën Juglindore 2022, i cili po mbahet sot në Selanik të Greqisë.
Në seancën kushtuar bashkëpunimit në energjetikë për garantimin e sigurisë energjetike përtej kufijve, Nuredini së bashku me kolegët ministra nga vendet e Evropës Juglindore dhe rajonit të Mesdheut Lindor diskutuan për gjetjen e një zgjidhjeje për tejkalimin e krizës energjetike. Ministri Nuredini theksoi se në përgjithësi, si të gjitha vendet, edhe Republika e Maqedonisë së Veriut është e orientuar drejt shfrytëzimit të kapaciteteve vendore.
Ministri Nuredini theksoi se mundësitë që ofrojnë interkonektorët e gazit nga vendet fqinje, Greqia dhe Bullgaria, janë të hapura për vendin tonë. Pikëpamja e përbashkët ishte se duhet të krijohet një bashkëpunim i mirë ndërkufitar midis vendeve fqinje dhe të sigurohet mbështetje reciproke në rast nevoje.
Sipas Nuredinit, kriza energjetike nuk duhet të jetë arsye dhe pengesë për vazhdimin e procesit të dekarbonizimit që tashmë ka filluar, dhe shtetet duhet të ndjekin vijën e përgjithshme të politikave të parapara të gjelbra dhe synimet e përcaktuara klimatike.
Në margjinat e ngjarjes, ministri Nuredini u takua me Laura Lochman, Zëvendës Ndihmës Sekretare për Diplomaci Energjetike në Byronë e Burimeve Energjetike të Departamentit Amerikan të Shtetit. Në takim u diskutua për diversifikimin e furnizimit me energji dhe gjendjen e përgjithshme energjetike në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Forumi Energjetik i Evropës Juglindore organizohet në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë Amerikano-Greke dhe partneritetin strategjik të Këshillit Atlantik dhe në të patën mundësinë të shkëmbejnë mendime dhe pikëpamje mbi gjendjen e energjisë politikëbërësit kryesorë, rregullatorët, përfaqësues të bizneseve kryesore, financierë, akademikë dhe ekspertë nga Greqia nga Rajoni.
Ndryshe, nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.
Ditë më parë nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.
Nga ana tjetër, termocentralet e Maqedonisë së Veriut (ESM) kanë për detyrë të aktivizojnë të gjitha kapacitetet prodhuese dhe të prodhojnë 25 për qind më shumë energji elektrike se vitin e kaluar, në mënyrë që vendi të kapërcejë krizën energjetike. Gjithashtu, kompania private “TE-TO” duhet të përfshijë plotësisht kapacitetet e saj dhe të bëjë energji që do t’u shitet kompanive nën çmimet e bursës, të cilat tani janë shumë të larta dhe siç thonë kompanitë nuk mund t’i mbajnë.
- LEXO: RMV, marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%
- LEXO: Maqedonia e Veriut e blen shtrenjtë rrymën ditën, e shet lirë natën
- LEXO: RMV, plani për krizën energjetike këtë dimër do të dobësojë buxhetin
- LEXO: RMV, kalorimetrat janë të mira për qytetarët, por të padëshirueshëm për shpërndarësit e energjisë termike