Site icon PORTALB

Euroambasadori Geer tha se gjuha maqedonase në kornizën negociuese është pa kualifikim

David Geer, foto nga Delegacioni i BE-së në Shkup/Facebook

Ambasadori evropian në vend, David Geer, mbështet Maqedoninë që sa më shpejt të fillojë negociatat për anëtarësim në BE dhe përshëndeti vazhdimin e konsultimeve për propozimin francez, transmeton Portalb.mk.

“Me shpresën se i gjithë procesi do të jetë i frytshëm, duke i hapur rrugë hapjes së negociatave për anëtarësim në BE me Maqedoninë. Është e qartë: referimi për gjuhën maqedonase në kornizën e negociatave është pa kualifikim”, ka shkruar Gir në profilin e tij në Twitter.

Kujtojmë se pas marrjes së propozimit, kryeministri Kovaçevski paralajmëroi konsultime të gjera me partnerët e koalicionit, presidentin e shtetit, parlamentin, sektorin civil, por edhe me opozitën.

Presidenti Stevo Pendarovski dje thirri seancë të Këshillit të Sigurimit me propozimin francez, ndërsa takim kanë pasur edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut pas takimit të mbajtur me partnerët e koalicionit më 1 korrik, në formë integrale në ueb-faqen e saj e ka publikuar propozimin nga presidenca franceze për tejkalimin e çështjeve mes RMV-së dhe Bullgarisë, me qëllim që t’i hapet rrugë fillimit të bisedimeve me Bashkimin Evropian. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, këtë propozim e ka vlerësuar si më të favorshëm se sa parapraku, të cilin e refuzoi në Bruksel.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Exit mobile version