Franca është e vendosur që në rast të një marrëveshjeje ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, të organizojë konferencën ndërqeveritare ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme franceze dhe Evropës pas takimit të ministrit të Jashtëm francez Jean-Yves Le Driani me kolegun e tij nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmani, transmeton Portalb.mk.
Ministri francez për Evropën dhe Punët e Jashtme Drian, siç thuhet në njoftimin e Kay D’Orsay, u takua me homologun e tij nga Maqedonia Bujar Osmani më 11 maj në margjinat e një takimi ministror të koalicionit global kundër ISIS-it në Marrakesh për të zgjidhur mosmarrëveshjen midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe situatën në Ukrainë pas luftës së nisur nga Rusia më 24 shkurt.
“Ministri francez nënvizoi mbështetjen e plotë të Francës për arritjen e një kompromisi të ekuilibruar dhe të pranueshëm reciprokisht midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ai përkujtoi se Franca është e vendosur që në rast të marrëveshjes të organizojë konferencën ndërqeveritare ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë sa më shpejt gjatë presidencës së saj me Këshillin e Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftim.
Ministri Drian përsëriti mbështetjen e Francës për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përmendi organizimin e qershorit, në kuadër të Presidencës Franceze të Këshillit të BE-së, në konferencën mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, e cila duhet të kontribuojë në këtë.
Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.
Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.
Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.
- LEXO: Kur të shohim garanci nga Maqedonia e Veriut, do të dakordohemi për zhbllokimin e procesit, paralajmëroi Bullgaria
- LEXO: Në Qershor ndahemi nga Maqedonia e Veriut, u shpreh i vendosur Edi Rama
- LEXO: Takimi Kovaçevski – Borrell: Nevojitet zgjidhje evropiane për mosmarrëveshjen dhe zhbllokimin e negociatave
- LEXO: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda BE-së, vlerësoi Borrell
- LEXO: Radev i përgjigjet Maqedonisë së Veriut: Ultimatumi ndaj Bullgarisë është jo i dobishëm
- LEXO: Macron propozoi një ide për vendet që synojnë integrimin në BE, preket edhe Shqipëria