Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë dhe të bashkuar, derisa qeveria dhe liderë në mbarë botën po vazhdojnë përpjekjet për të shmangur një pushtim të mundshëm nga Rusia, e cila ka grumbulluar dhjetëra mijëra ushtarë përgjatë kufirit, raporton REL, transmeton Portalb.mk.
Duke folur në parlament, Zelenskiy tha të martën se “askush nuk po vendos për fatin e Ukrainës pas shpinës sonë”, duke shtuar se ai shpreson se së shpejti do të vendoset data e takimit të ardhshëm të grupit të Formatit të Normandisë – që përfshin Ukrainën, Rusinë, Francën dhe Gjermaninë – për të diskutuar për zgjidhjen e tensioneve në rritje ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë.
“Ne po punojmë në mënyrë aktive për të vendosur sa më shpejt datën e takimit të ardhshëm të këshilltarëve në Berlin dhe shpresoj se do të arrihet një marrëveshje për takimin e liderëve të Formatit të Normandisë”, tha Zelenskiy pasi nënshkroi një dekret për të rritur numrin e forcave ushtarake të Ukrainës për 100 mijë trupa për tre vjet dhe për të rritur pagat e ushtarëve.
Zelenskiy tha gjithashtu se ai ka zhvilluar bisedime me përfaqësues të 80 vendeve dhe organizatave ndërkombëtare, të cilët sipas tij, kanë mbështetur Ukrainën në përplasjen e vazhdueshme me Rusinë.
Moska ka mbështetur separatistët në luftën në lindje të Ukrainës, e cila ka marrë jetën e më shumë se 13,200 personave prej vitit 2014, vitin e njëjtë kur Rusia ka pushtimin Krimenë.
- LEXO: Rusia akuzon SHBA-të dhe NATO-n për përshkallëzim
- LEXO: Biden do të diskutojë me aleatët evropianë për Ukrainën
- LEXO: Situata në Ukrainë, SHBA vë në gatishmëri 8,500 trupa
- LEXO: Ministrat e Jashtëm të BE-së në koordinim strategjik me SHBA-në për Ukrainën
- LEXO: Franca dhe Gjermania paralajmëruan Rusinë kundër pushtimit të Ukrainës
- LEXO: Stoltenberg: NATO këtë javë do t’i përgjigjet propozimit të Rusisë