Ministria e Ekonomisë sot ia ka marrë licencën për punë Agjencisë Turisitike “Besa Trans”, autobusi i së cilës më 23 nëntor të vitit që lam pas shpërtheu në austradën Struma në Bullgari, duke shkaktuar vdekjen e 45 personave nga Maqedonia e Veriut, transmeton Portalb.mk.
“Me kërkesë të Ministrisë së Ekonomisë, Inspektorati Shtetëror i Tregut ka kryer tri kontrolle të jashtëzakonshme në objektet e subjektit SHTPQSH “Besa Trans” BTB SHPKNJP eksport-import me adresë: f. Rashçe, Komuna Saraj – Shkup, filiala BESA TRAVEL me adresë në rr. Stiv Naumov nr.2/2-3 Shkup, ku është konstatuar se nuk kryen veprimtari, gjegjësisht nuk punon”, thuhet në njoftimin e publikuar në Facebook të Ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.
Inspektorati Shtetëror i Tregut, informon se Subjekti Juridik nuk ushtron veprimtari, gjegjësisht zyrat janë të mbyllura dhe nuk mund të kontrollohen, ndërsa si Ministër i Ekonomisë, Bekteshi ka marrë vendim për heqjen e licencës.
“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që do të udhëtojnë të kontrollojnë se me cilat agjenci turistike udhëtojnë, gjegjësisht nëse kanë licenca të vlefshme pune të lëshuara nga Ministria e Ekonomisë”, thuhet një njoftimin e Bekteshit.
Kujtojmë se pardje pronarët e agjencisë Royal Travel hodhën poshtë pretendimet se kanë lidhje me agjencinë Besa Trans dhe pronarin Bekim Haxhiu.
- LEXO: “Royal Travel”: Nuk kemi asnjë lidhje me “Besa Transin”
- LEXO: “Besa Trans Preshevë” pas lajmeve në media u zhduk nga “Facebook” (Video)
- LEXO: Pronari i “Besa Trans”, Bekim Haxhiu: Nuk kam lidhje me “Besa Trans Preshevë”
- LEXO: “Besa Trans” nga Presheva organizon udhëtime për në Stamboll edhe për qytetarët e RMV-së
Përndryshe, në aksidentin tragjik të autostradës “Struma” në Bullgari që ndodhi më 23 nëntor ndërruan jetë 45 persona, prej të cilëve 12 fëmijë, ndërsa shtatë u lënduan. Ata po ktheheshin nga udhëtimi turistik në Turqi.