Site icon PORTALB

Dosje: të gjithë kryeministrat e mëparshëm – bankierë, biznesmenë, profesorë!

Qeveria e Maqedonisë

Qeveria e Maqedonisë së Veriut

Profesorë, ekonomistë, biznesmenë, juristë, bankierë – me tituj të ndryshëm arsimorë dhe nga sektorë të ndryshëm janë “rekrutuar” kryeministrat e mëparshëm të vendit. Që nga pavarësia e deri tani, 10 emra kanë kaluar në kabinetin e kryeministrit në rrugën “Ilindenska” nr. 2 – disa me mandat të dyfishtë, e disa me mandat të kryeministrit të numëruar në ditë. Në pritje të qeverisë së re të udhëhequr nga kryeministri i ardhshëm, Dimitar Kovaçevski, “Portalb” i profilizon kronologjikisht kryeministrat e mëparshëm, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Sipas kohëzgjatjes së mandateve të kryeministrit, prin VMRO-DPMNE-ja, me më shumë se 14 vite, por prej tyre 9 vjet e 145 ditë në krye të Qeverisë ishte vetëm një emër – Nikolla Gruevski. LSDM-ja ka më pak vite “pushtet”, por me më shumë emra kryeministrash, sidomos pas zgjedhjeve të 2002-shit.

Kryeministër i parë i Qeverisë së parë eksperte të Maqedonisë në periudhën 1991-1992 ishte Nikolla Kljusev, i cili në krye të qeverisë qëndroi si i pavarur. Me profesion ekonomist – profesor universitetar. Gjatë mandatit të tij u fut në përdorim monedha e Maqedonisë dhe u formua Armata.

Më 4 shtator 1992, pasi LSDM-ja i fitoi zgjedhjet parlamentare, në krye të Qeverisë qëndroi Branko Cërvenkovski. Ky do të jetë mandati i parë si kryeministër, por jo edhe i fundit për Cërvenkovskin. Në mandatin e parë ai e drejtoi Qeverinë deri në fund të nëntorit të vitit 1998 – gjithsej 6 vjet e gati 3 muaj. Në këtë periudhë filluan dhe u zbatuan proceset më të vështira që i kaloi vendi pas pavarësisë – tranzicioni dhe privatizimi. Branko Cërvenkovski u bë kryeministër edhe pas luftës në vitin 2001 – ai u kthye në rrugën “Ilindenska” më 1 nëntor të vitit 2002 dhe qëndroi atje 1 vit e gati shtatë muaj.

Në vitin 1998, pas fitores së madhe të VMRO-DPMNE-së, në krye të qeverisë erdhi Ljubço Georgievski i cili e drejtoi atë deri më 1 nëntor të vitit 2002. Mandati i Georgievskit kaloi në një periudhë jashtëzakonisht të tensionuar dhe të vështirë – konflikti ushtarak në vitin 2001, para kësaj kriza e refugjatëve në Kosovë që rezultoi me një eksod të refugjatëve në kufirin me Maqedoninë. Gjatë mandatit të Georgievskit, u nënshkrua Marrëveshja Kornizë e Ohrit me logjistikën ndërkombëtare dhe konsensusin e brendshëm, që ishte garantuese e stabilitetit dhe paqes në vend. Gerogievski mori nënshtetësinë bullgare në vitin 2006, gjë që shkaktoi reagime dhe polemika në opinion.

Bankieri Hari Kostov u bë kryeministër më 2 qershor të vitit 2004 – si kandidat i pavarur, por në kohën e qeverisjes së LSDM-së. Ai e drejtoi Qeverinë për më pak se 6 muaj, më 15 nëntor të po këtij viti dha dorëheqje.

Pas zgjedhjeve të vitit 2002, LSDM-ja delegoi edhe një kryeministër tjetër nga radhët e saj – Vllado Buçkovskin, profesor universitar. Buçkovski e ka drejtuar qeverinë nga 12 dhjetori i vitit 2004 deri më 26 gusht të vitit 2006, ose 1 vit e 8 muaj. Në vitin 2008 ai u dënua me 3,5 vjet burg, mirëpo ai nuk u bë i plotfuqishëm. Lënda “Pjesët e tankeve”, e cila filloi në vitin 2007, zgjati për vite me radhë, dhe në vitin 2019 ajo u vjetrua pasi u kthye disa herë për rigjykim.

Pas fitores zgjedhore në vitin 2006 – VMRO-DPMNE e mori pushtetin në vend, dhe kryetar i qeverisë u bë Nikolla Gruveski. Përmes cikleve të rregullta dhe të parakohshme zgjedhore, Gruevski do të jetë në pushtet për 9 vjet e 5 muaj. Në një pjesë të kësaj periudhe, ekonomia jep një nga rezultatet më të mira në aspektin e rritjes, investimeve, por në të njëjtën kohë ndodhi edhe projekti “Shkupi 2014”, i cili do të lërë gjurmë të përhershme në vend, por edhe do të shoqërohet me polemika dhe çështje të cilat edhe sot e kësaj dite janë në pritje të përgjigjes. Nikolla Gruveski tani ndodhet në Hungari ku ka marrë azil politik pas ikjes nga Maqedonia – pasi ka marrë dënimin me burg për një nga rastet e PSP-së së atëhershme dhe ka akuza për raste të tjera.

Sociologu Emil Dimitriev u bë kryeministër i Qeverisë teknike më 18 janar 2016 – pas dorëheqjes së Gruevskit dhe si pjesë e marrëveshjes së arritur në Përzhinë. Dimitriev si kryeministër teknik do ta udhëheqë Qeverinë për 1 vit e 134 ditë.

Më 1 qershor 2017 Zoran Zaevi e filloi mandatin e tij të parë si kryeministër pasi paraprakisht e filloi procesin e publikimit të bisedave të përgjuara ilegalisht me të cilat u rrëzua Qeveria e Gruevskit. Mandati i parë i Zaevit zgjati 2 vjet e 7 muaj – deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Më 3 janar 2020, në krye të Qeverisë teknike erdhi Oliver Spasovski, i cili do të udhëheqë 241 ditë derisa Zoran Zaevi të kthehet sërish pas zgjedhjeve – me mandatin e dytë që zgjati 1 vit e 4 muaj. Zoran Zaevi dha dorëheqje pas zgjedhjeve lokale që u mbajtën vitin e kaluar.

Nga mesi i janarit të këtij viti, pritet një qeveri e re e udhëhequr nga Dimitar Kovaçevski ta marrë përsipër funksionin. Sipas njoftimeve të kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, votimi duhet të bëhet më së voni deri më 17 janar.

Exit mobile version