Site icon PORTALB

Bisedë telefonike Radev-Mitsotakis: Zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit investim i vërtetë në stabilitetin rajonal!

Rumen Radev-Kirjakos Micotakis, Foto: Presidenca e Bullgarisë

Presidenti bullgar Rumen Radev dhe Kryeministri Grek Kyriakos Mitsotakis zhvilluan bisedë telefonike për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, njoftoi shërbimi për media i shefit të shtetit bullgar, përcjellë Portalb.mk.

Përveç eurointegrimeve, u diskutua edhe për partneritetin dypalësh midis Bullgarisë dhe Greqisë dhe bashkëpunimin në kapërcimin e pasojave të epidemisë së koronavirusit në të dy vendet.

Dy bashkëbiseduesit shprehën qëndrim të përbashkët se politika e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor është një investim i vërtetë në stabilitetin e rajonit. Prandaj, sipas Radevit, nevojitet mbështetje e palëkundur për të zbatuar reformat e nevojshme në vendet kandidate për përmbushjen e kritereve të Kopenhagenit për pranim në BE.

“Ndërtimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore është mënyra më e sigurt dhe e shpejtë për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian”, tha Radev.

Radev dhe Mitsotakis diskutuan  edhe për rritjen e lidhjes së energjisë dhe arritjen e diversifikimit real në rajon, si dhe përshpejtimin e procesit të ndërtimit të interkonektorit midis Bullgarisë dhe Greqisë.

Ndërkohë më 14 maj, kryeministri i Maqedonisë së Veriut,  Zoran Zaev duke shpalosur detaje nga takimi që zhvilloi me homologun e tij grek Kyriakos Mitsotakis, deklaroi se Greqia është një nga miqtë më më të përkushtuar për perspektivën e RMV-së në Bashkimin Evropian. Siç deklaroi i pari i ekzekutivit Zaev, Micotakis, ka shpalosur disa ide pozitive që mund të ndihmojnë në heqjen e bllokadës bullgare për marrjen e datës për çelje të negociatave me BE-në.

Duke folur në Forumin Ekonomik “Delfi”, Zaev shprehu optimizmin e tij për gjetjen e një zgjidhjeje me Bullgarinë, por shtoi se vendi ka nevojën e ndihmës greke, për çka katër orë më vonë, në një takim me homologun e tij grek, ai tashmë kishte në tavolinë ide konkrete nga Mitsotakis .

Në një bisedë me korrespondentin e MIA-s nga Athina, kryeministri Zaev tha se pala greke shfaqi kreativitet shtesë, ndërkohë që komentoi bllokadën e Sofjes për të cilën tha se është një problem dhe sfidë, jo vetëm për ne, por edhe për Bashkimin Evropian si dhe për Bullgarinë dhe Greqinë si shtete anëtare të Unionit.

Përndryshe Maqedonia e Veriut, i ka përmbushur kushtet dhe ka marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.

Exit mobile version