Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka deklaruar të martën në Shkup se nisja e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në varet nga marrëveshja e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë, raporton REL. I pyetur lidhur me gjasat që Maqedonia e Veriut t’i fillojë negociatat me BE-në në qershor, Varhelyi ka thënë se kjo kërkon pëlqimin e të gjitha vendeve anëtare të unionit.
“Është një pyetje e vështirë. Ne ende duhet të punojmë shumë, ne nuk jemi atje ku duhet të jemi tani. Të gjitha vendet anëtare duhet të bien dakord. Kjo do të thotë se do të duhet të gjejmë një zgjidhje në lidhje me Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Varhelyi.
Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut, apo e para t’i nisë bisedimet e anëtarësimit në BE, edhe pse zyrtarë të lartë evropianë disa herë kanë theksuar se dy shtetet duhet në bllok t’i hapin bisedimet e anëtarësimit.
“A është e mundur të ndahen dy vendet? Ky proces bazohet në merita dhe nëse shikoj arritjet e Shqipërisë, shoh se ata i kanë përmbushur të gjitha kushtet… Nëse nuk ka marrëveshje në lidhje me Maqedoninë e Veriut, mund të vijë ai moment, kur do të duhet ta shqyrtojmë këtë opsion. Shpresoj që kjo të mos ndodhë. Sot kemi pasur bisedime shumë të rëndësishme me kryeministrin dhe kemi rënë dakord që duhet të bëjmë përparim”, ka deklaruar Varhelyi.
Në një deklaratë me shkrim të Qeverisë në Shkup është thënë se “në takimin me komisionarin Varhelyi është diskutuar për zhvillimet aktuale në procesin e integrimit të vendit në BE dhe, me këtë rast, kryeministri Zaev ka theksuar se Maqedonia e Veriut është e gatshme dhe e hapur për të gjetur një zgjidhje të përbashkët për kontestin me Bullgarinë”.
Bullgaria, në nëntor të vitit 2020, ka bllokuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me BE-në, duke e kushtëzuar me arritjen e marrëveshjes në lidhje me kërkesat e saj për identitetin dhe gjuhën maqedonase.
Sofja nuk e konteston identitetin maqedonas, por kërkon nga Shkupi që të pranojë se gjuha dhe identiteti kanë “rrënjë bullgare”.
Dy shtetet kanë arritur një marrëveshje për fqinjësi të mirë më 2 gusht të vitit 2017, por marrëveshja ka thelluar dallimet, për shkak të interpretimeve të pjesëve të saj dhe mosdefinimit të duhur. Bisedimet mes dy vendeve kanë vazhduar në nivel të ekspertëve për çështjet kontestuese, por ende pa një epilog konkret.
- LEXO: Maqedonia e Veriut ka pranuar dozën e parë të vaksinave nga Bashkimi Evropian
- LEXO: KE-ja dhe Gjermania presin fillim sa më të shpejtë të negociatave me RMV-në dhe Shqipërinë
- LEXO: BE diskutoi për Maqedoninë: Nuk heq dorë nga konferenca e parë ndërqeveritare deri më 30 qershor
- LEXO: Të respektohet njëjtë identiteti dhe gjuha maqedonase nga vendet anëtare të BE-së, kërkoi Zaev nga ambasadorja kroate
- LEXO: Eurodeputetët: Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, në vend historisë, duhet të kthehen kah e tashmja dhe ardhmëria
- LEXO: Osmani pret që Maqedonia të bëjë një hap përpara në samitin qershor-korrik të BE-së
- LEXO: Zgjedhjet në Bullgari: Shumë opsione për qeveri, asnjë për debllokim të shpejtë të eurointegrimeve në Maqedoninë e Veriut
- LEXO: Karakaçanov: Nuk ka asnjë bazë që kombi i krijuar në Moskë të ketë pakicë në Bullgari