Site icon PORTALB

Opozita shqiptare reagoi pasi kryeministri Zaev e publikoi planin “Evropa në shtëpi”, u vlerësua si tallje

Ziadin Sela, Afrim Gashi

Kryeministri Zoran Zaev sot publikoi planin “Evropa në shtëpi“, duke u vlerësuar nga opozita shqiptare si një tallje e radhës, transmeton Portalb.mk.

“Promovimi i planit ,”Evropa në shtëpi” është një tallje e radhës e Kryeministrit Zaev me qytetarët. Të gjendesh në rang-listë më poshtë se Mongolia për nivel të korrupsionit dhe të flasësh për standarde europiane është më shumë se tallje”, deklarojnë nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët-Alternativa.

Opozita vlerësoi që kryeministri Zaev është një fatkeqësi që po ndodhë brenda fatkeqësisë, duke theksuar që vendi ka nivelin më të lartë të vdekshmërisë nga Kovid-19 dhe mungesë të vaksinave.

“Ata që e sollën vendin tonë në këtë gjendje nuk kan as kapacitet e as të drejtë morale të flasin për standarde evropiane. Ju, i nderuar Kryeministër e keni humbur rrugën në oborrin tuaj, ju mendoni se me ,”google maps” do të arrini në Europë”, reagojnë nga opozita shqiptare.

Ndryshe, kryeministri Zoran Zaev në konferencën e sotme ku prezantoi agjendën e Qeverisë “Evropa në shtëpi”, tha se vazhdojnë përpjekjet politike dhe diplomatike për heqjen e vetos që e vendosi Bullgaria. Por, ai ka shtuar se gjithashtu vazhdojnë edhe reformat për vendosjen e standardeve evropiane në shtëpi.

Nëpërmjet agjendës “Evropa në shtëpi”, Zaev tha se Qeveria dhe institucioneve të tjera, siç janë Kuvendi, organet gjyqësore, KSHZ, Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit si dhe komisione dhe agjenci të tjera, do t’i përfundojnë aktivitetet e mbetura për “evropianizim të tërësishëm të sistemit dhe të punës së tyre”, sipas standardeve të Bashkimit Evropian.

 

 

Exit mobile version