Site icon PORTALB

RMV, prej sot 12 mjekë dhe 20 infermierë të Armatës do të ndihmojnë në kovid-qendrat e klinikave interne

Klinika Infektive, korona virus KOVID019 COVID

Foto: Arbnora Memeti, Portalb.mk

Dymbëdhjetë mjekë dhe 20 infermierë nga Qendra mjekësore ushtarake e Armatës, prej sot janë përfshirë në punën e klinikave Interne, ku ka disa reparte kovid, kumtoi Ministria e Shëndetësisë. Ekipet mjekësore që vijnë nga Armata fillimisht do të vendosen në qendrën Interne të triazhit, ku do të pranojnë pacientë në repartin kovid, njofton Portalb.mk.

“Ky numër i stafit mjekësor është mbështetje e madhe, duke pasur parasysh që të gjithë specialistët e mjekësisë interne dhe infektologët që nga fillimi i krizës u janë kushtuar pacientëve me korona virus”, thonë nga Ministria.

Ministria e Mbrojtjes të premten i dorëzoi 10,000 teste të shpejta Ministrisë së Shëndetësisë, donacion nga Mbretëria e Norvegjisë, kurse në fillim të muajit Armata siguroi përdorimin e 5 auto-ambulancave.

Numri i përgjithshëm i të diagnostifikuarve në vend me kovid-19  që nga fillimi i epidemisë është 61,543, 38,400 janë shëruar, 1,731 kanë vdekur dhe 21,412 janë aktivë. Vetëm dje kanë ndërruar jetë 32 pacientë, ndërsa janë shënuar 820 raste të reja.

Exit mobile version