Avokatë të njohur ndërkombëtarë po mbrojnë ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – (UÇK), të cilëve tashmë u janë konfirmuar aktakuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, transmeton REL.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e Salih Mustafa, në proceset e tyre gjyqësore do të mbrohen nga juristë që kanë shërbyer edhe si prokurorë dhe që kanë fituar raste të njohura që lidhen me krimet e luftës duke përfshirë gjenocidin në Ruandë, vrasjet në luftërat e hapësirave të ish-Jugosllavisë si dhe krimet lufte të kryera në vende të ndryshme të botës.
- LEXO: Hashim Thaçi akuzohet në 10 pika për krime lufte dhe kundër njerëzimit, deklarohet i pafajshëm
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deri tash ka prezantuar një ekip mbrojtës prej tre avokatësh.
Pierre –Richard Prosper është avokati kryesor i mbrojtës i Thaçit, që gjatë luftës ka qenë drejtor politik i UÇK-së.
Prosper ka një karrierë të gjatë të punës në hetimin e krimeve të luftës.
Ai ka mbajtur disa pozicione të rëndësishme siç është pozita e ambasadorit të Përgjithshëm për Çështjet e Krimeve të Luftës nën administratën e ish-presidentit amerikan, George W. Bush. Këtë funksion, ai e ushtroi nga 2001 deri më 2005.
Gjatë vitit 1996 deri në fund të vitit 1998, Prosper shërbeu si prokuror i krimeve të luftës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për Ruandën.
Gjatë asaj kohe ai procedoi çështjen e parë të gjenocidit sipas Konventës Universale për të Drejtat e Njeriut mbi Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit dhe Gjenocidit.
Përveç fitimit të gjyqit që zgjati 14 muaj, Prosper hapi gjithashtu terren të ri në të drejtën ndërkombëtare duke arritur që të bindë Tribunalin që të pranojë përdhunimin gjatë kohërave të konfliktit si një akt gjenocidi dhe një krim kundër njerëzimit.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, doli para Dhomave të Specializuara më 9 nëntor dhe në mungesë të Prosperit, në seancë i pranishëm ishte avokati britanik, David Hooper.
Fusha e tij kryesore gjatë 20 vjetëve të fundit ka qenë në të Drejtën Penale Ndërkombëtare.
Hooper ishte avokat kryesor i mbrojtjes përpara Tribunalit Ndërkombëtar për Ruandën në rastin e Andre Rwamakuban, një ministër në Qeverinë Ruandës, 1994, dhe më vonë për At Nsengimanan, një prift katolik i akuzuar për gjenocid.
Në fund të procesit, që të dy u shpallën të pafajshëm.
Një prej avokatëve të ish-presidentit Thaçi është edhe kosovari, Dastid Pallaska. Pallaska është i specializuar në banka dhe financa, bashkime dhe blerje dhe financim të projekteve.
Britaniku Ben Emmerson do të jetë avokat mbrojtës i ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veselit që gjatë luftës ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Emmerson është i njohur për publikun kosovar, sidomos për proceset gjyqësore ndaj ish-kryeministrit Ramush Haradinaj në kuadër të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Haradinaj, mes tjerash ishte i akuzuar për përndjekje si dhe torturë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në të dyja proceset gjyqësore që u zhvilluan ndaj tij, Ramush Haradinaj ishte shpallur i pafajshëm.
Ben Emmerson ka përfaqësuar disa qeveri të huaja në lidhje me konfliktet e armatosura ndërkombëtare duke përfshirë atë të Kroacisë, Qipros, Gjeorgjisë dhe Ukrainës.
Ai ka përfaqësuar edhe themeluesin e WikiLeaks, Julian Assange, në lidhje me një përpjekje për ta ekstraduar atë në Suedi.
Përveç këtyre rasteve, Emmerson ka qenë avokat në shumë raste të zyrtarëve të lartë shtetërorë nga vende të ndryshme të botës.
Emmerson ka marrë pjesë në seancën e 10 nëntorit përmes video-lidhjes, ndërkaq në sallë ishte kolegu i tij, Andrew Cayley.
Ky i fundit është avokat britanik me një karrierë të gjatë në hetimin e krimeve kundër njerëzimit.
Në kuadër të Tribunalit të Hagës, ai drejtoi hetimin kundër gjeneralit serb, Ratko Mlladiq.
Cayley, po ashtu ka qenë ndër prokurorët e parë në kuadër të Tribunalit të Hagës që kishte hetuar ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ishte prokuror në procesin gjyqësor ndaj Fatmir Limajt, Haradin Balës dhe Isak Musliut, të cilët akuzoheshin për kryerjen e krimeve të luftës.
Jakup Krasniqi, ish-zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në paraqitjen e tij para Dhomave të Specializuara, tha se kishte vendosur që të mos angazhonte avokat mbrojtës pasi siç tha, besonte në pafajësinë e tij.
Mirëpo Krasniqi, tha se do është udhëzuar nga familjarët dhe miqtë që të këtë avokat.
Ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, do ta mbrojë avokatja nga Malajzia, Venkateswari Alagendra.
Një prej rasteve me të njohura që ka përfaqësuar, Alagendra ishte kur ajo mbrojti Saif al-Islam Gaddafin, djalin e ish-diktatorit të Libisë, Muammar Gaddafi.
Rexhep Selimi do të përfaqësohet para gjykatës nga avokati britanik, David Young.
Ai është specialist i së Drejtës Penale, me ekspertizë në të Drejtën Penale Ndërkombëtare.\
Një prej rasteve më të mëdha të tij është ai i Assad Hassan Sabra, që akuzohej për përfshirje në vrasjen e ish-kryeministrit libanez, Rafik Hariri.
Sabra në fund u shpall u pafajshëm.
Young udhëheqë një ekip të gjerë juristësh të cilët kanë qenë ose janë të përfshirë në mbrojtjen e klientëve të tyre pranë Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Tribunalit për Ruandën, Dhomat e Specializuara të Kosovës, Tribunalit për Kamboxhian si dhe tribunale të tjera.
Avokat më pak të njohur ndërkombëtarisht ka ish-pjesëtari tjetër i UÇK-së, Salih Mustafa që është i akuzuar për krime lufte.
Mustafën do të mbrojë holandezi, Julius Von Boné.
Von Boné kryesisht është marrë me raste lokale dhe ndihmon dhe këshillon në baza vullnetare organizatat dhe personat që janë futur në telashe financiare.
Për çfarë akuzohen, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi?
Prokuroria akuzon Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin për kryerjen e krimeve të luftës ndaj qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.
Dhomat e Specializuara pretendojnë se për këto krime, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë.
Në aktakuzë pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtar të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.
Sipas aktakuzës, viktimat ishin kryesisht njerëz që gjatë kohës së luftës u perceptuan si bashkëpunëtorë të forcave jugosllave, të zyrtarëve apo institucioneve shtetërore apo edhe që nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së.