Site icon PORTALB

“Modeli i Përzhinos” ka frenuar 90 milionë euro kredi të miratuar për luftë me Kovid-19, problemin duhet ta zgjidh KSHZ

Qeveria e Maqedonisë së Veriut

Qeveria e Maqedonisë së Veriut

Qeveria po ndërmerr masa për të realizuar huan tani më të miratuar nga Banka Botërore në lartësi prej 90 milionë euro për luftë me Kovid-19, pasi zëvendës ministrja shtesë financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska një periudhë më të gjatë refuzon të nënshkruajë marrëveshjen për hua. Në seancën e djeshme ministrat qeveritar kanë vendosur të kërkojnë mendim nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), i cili, sipas Ligjit për Qeveri, në pjesën e zgjedhjes dhe të punës së qeverisë teknike, kalimtare, ka kompetencë të sjellë vendime përfundimtare në raste të tilla, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Mjetet prej 90 milionë euro që janë miratuar nga Bordi i Bankës Botërore, duhet të shfrytëzohen për përforcim të kapaciteteve të shëndetësisë për ballafaqim me Kovid-19, për të blerë pajisje mjekësore, financim të kontributeve për sigurim shëndetësor për personat të cilët kanë mbet pa punë dhe grupe të lëndueshme, financim të përkrahjes së përkohshme për ata që kanë mbetur pa punë, për ndihmë të përkohshme sociale të qytetarëve më të varfër dhe ngjashëm.

“Me refuzimin për të nënshkruar marrëveshjen për hua, zëvendës ministrja shtesë për financa Gordana Dimitrieska-Koçoska e vë në rrezik serioz realizimin e këtyre iniciativave. Prandaj është konkluduar që të kërkohet mendim nga KSHZ-ja për këtë obstruksion në punën e Qeverisë, sipas Ligjit për Qeveri”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Ministri Venko Filipçe deklaroi që nuk sheh arsye për të cilën Dimitrieska-Koçoska nuk e firmos marrëveshjen. Siç theksoi në pres-konferencë, deri tani tetë herë është dhënë përgjigje për pyetjet e parashtruara nga ana e saj në lidhje me këtë hua dhe është sqaruar që mjetet do të shfrytëzohen për përkrahje, furnizim të aparateve dhe mjeteve mjekësore në sistemin shëndetësor dhe të gjitha repartet, për trajtim të pacientëve të sëmurë me Kovid-19.

“Nuk shoh arsye pse dy muaj pritet për nënshkrim dhe shkaktohet handikap serioz, ndërsa kemi mundësi të marrim kredi të shpejtë, siç kanë fituar qindra vende si ndihmë në gjendjen me pandeminë. Nuk e dimë çfarë na pret në vjeshtë, ndërsa këto mjete për momentin janë shumë të rëndësishme për ne”, deklaroi Filipçe.

Zëvendës ministrja Gordana Dimitrieska-Koçoska, e cila me propozim të VMRO-DPMNEsë është pjesë e qeverisë teknike, konsideron që nuk e frenon procesin e marrjes së huas tash më të aprovuar nga Banka Botërore.

Në deklaratë për Meta.mk, Dimitrieska-Koçoska thotë që shumë aspekte janë të paqarta dhe nuk ka përgjigje për financimin e paraparë retroaktiv, financim deri 30 përqind të kredisë së përgjithshme, ose për 27 milionë euro për shpenzime që janë bërë nga 1 shkurti.

“Cili është arsyetimi i shpenzimit prej 800 mijë euro, nga të cilat 360 mijë euro për angazhim të ekspertëve dhe pjesa tjetër për trajnim të kuadrit mjekësor, përse nuk ka onlajn trajnime dhe këto mjete të dedikohen për përkrahje të drejtpërdrejtë të qytetarëve, si arsyetohet urgjenca e mbindërtimit të sistemit “Termini im” që kushton 200 mijë euro dhe tjera”, pyet Dimitrieska-Koçoska duke shtuar që nuk ka qenë e inkuadruar në negociatat paraprake për huan.

Lidhur me atë përse në raste të këtilla pritet vendim nga KSHZ-ja, profesoresha e shkencave juridike, Ana Pavllovska-Daneva, sqaron që qeveria teknike funksionon me ministër dhe një zëvendës ministër shtesë. Sipas Ligjit për Qeveri, që të dy duhet të nënshkruajnë çdo akt që ka të bëjë me zgjedhje, ndërsa ka efekt juridik, apo akt i cili, përkrah qëllimeve më të sinqerta, mund të ndikojë ose të jetë ndonjë motiv i shfrytëzuar për votim.

“Sipas ‘modelit të Përzhinos’ të qeverisë teknike, KSHZ është organi i vetëm i pavarur që është i përcaktuar dhe i cili në afat të shkurtë kohor duhet të zgjidh konteste ndërmjet ministrit dhe zëvendës ministrit shtesë, nëse ndonjë prej tyre nuk dëshiron të nënshkruan dokument dhe KSHZ-ja e sjell vendimin përfundimtar. Nëse njëra pale nuk është e kënaqur, mund të ngrit padi në Gjykatën Administrative”, thotë Pavllovska-Daneva.

Mirëpo ajo thekson që në teorinë dhe praktikën juridike në të drejtën krahasimore, nuk ka shembull tjetër të këtillë, komision shtetëror, i formuar nga përfaqësues të pushtetit dhe të opozitës, të jetë kompetent për të zgjidhur kontest ndërmjet dy bartësve të pushtetit ekzekutiv.

“Ne jemi të vetmit, siç jemi të vetmit edhe me qeveri teknike. Rasti konkret me mosnënshtrimin e marrëveshjes për hua nga Banka Botërore, duket që për momentin ajo varet vetëm nga KSHZ-ja”, thotë Pavllovska-Daneva.

Ministrja për Financa, Nina Angellovska këto ditë theksoi që beson në realizimin e mjeteve nga Banka Botërore dhe që Qeveria duhet që në këto momente të krizës të demonstrojë edhe më tutje bashkëpunim të mirë, kur më së shumti nevojitet koordinim i mirë dhe shpejtësi. Angellovska përkujtoi që secilin propozim përkatësisht ligj për ngarkim me borxh, e nënshkruan ajo së bashkë me zëvendës ministren shtesë. Mirëpo, që ajo ka të drejtë legjitime të ketë pyetje të caktuara për dokumentet, para se t’i nënshkruajër ato. Lidhur me huanë nga Banka Botërore, Angellovska ka thënë që Dimitrieska-Koçoska ka parashtruar pyetje të caktuara për të cilat ka pranuar përgjigje.

LEXO: Marrëveshja e Përzhinës 1-shi, 15 korrik 2015
LEXO: Marrëveshja e Përzhinës 2-shi, 20 korrik 2016 

Exit mobile version