Site icon PORTALB

Filipçe e refuzoi kërkesën e Shtabit Komunal të Krizës për Kumanovën

Venko Filipçe

Venko Filipçe

Venko Filipçe, Ministri i shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut e vlerësoi të panevojshme izolimin e qytetit të Kumanovës, përkundër se rastet më të shumta me virusin korona ditët e fundit vijnë nga ky qytet, transmeton Portalb.mk.

“Nëse ka një numër të madh të pacientëve që nuk lidhen me tashmë të diagnostifikuarit, nuk e përjashtoj mundësinë, mund të shohim edhe masa tjera. Por, tani jo. Para nesh është një vikend komplet i mbyllur. Të enjten, të premten dhe të shtunën planifikohen testimet”, deklaroi Filipçe.

Ndryshe, Shtabi Komunal i Krizës i Kumanovës kërkon vendosjen e karantinës, informoi sot në konferencën për media kryetari i kësaj komune, Maksim Dimitrievski.

Kumanova sot ka 23 raste pozitive me virusin korona dhe dy të vdekur. Gjithsej deri më tani ka 224 persona pozitivë dhe 12 të vdekur, informoi Dimitrievski. Në këtë statistikë janë përfshirë edhe rastet në komunën e Likovës.

Ai shprehu ngushëllime për familjet e të vdekurve dhe tha se Kumanova ofron mbështetje për të sëmurët.

“Propozojmë karantinë të obligueshme 14-ditore dhe shpalljen e gjendjes së krizës në territorin e komunës, mbylljen e hyrjeve dhe daljeve në qytet, lehtësime vetëm për persona të cilët kryejnë detyra profesionale të cilët me leje të veçanta do ta lëshonin dhe do të ktheheshin në qytet nën kushte të posaçme”, tha Dimitrievski në konferencën për media.

Në kushtet e posaçme është paraparë dezinfektim i automjeteve në dalje, shkuarje të papenguar në punë, vendosjen e një numri më të madh të kryerjes së serviseve të produkteve ushqimore për kumanovarët.

Shtabi Komunal, tha ai, është në dispozicion dhe falënderoi institucionet e shumta në nivel lokal dhe qendror të përfshirë në luftën kundër Kovid-19.

Gjendje krize sipas shembullit të Dibrës, vlerëson kryetari i Kumanovës, do të sjellë rezultate. Ai bëri thirrje deri te kumanovarët që t’i respektojnë rekomandimet, të mos dilet pa nevojë, të mendojnë për më të afërmit, për më të moshuarit. Sjellja e papërgjegjshme sjell përhapjen e virusit, bëri thirrje që të barten pajisje mbrojtëse. Në gjendje krize do të funksionojnë barnatoret, do të shpërndahet ushqim. Ai tha se është kërkuar nga policia të vendosë dy linja telefonike shtesë, sepse numri 192 është mbingarkuar dhe përkujtoi se ka katër numra të shtabit.

Ai i falënderoi banorët e qytetit me mbi 110.000 të cilët e respektonin karantinën me disa shkelje të vogla.

Udhëheqësi i shërbimit epidemiologjik në Qendrën e Shëndetit Publik Kumanovë, Jadranka Stamenkovska, tha se deri në orën 10, sot në nivel të komunës së Kumanovës ka 224 raste. Sa i përket dallimit se pse në disa ditë ka pak raste, kjo ka të bëjë me kushtet e konfirmuara laboratorike. Deri në mars ka pasur 52 raste.

LEXO: RMV, 54 raste të reja me virusin korona, gjithsej 908 të infektuar, gjashtë të vdekur
LEXO: Tetovë me rrethinë, kurba e të infektuarve me virusin korona nuk pëson rritje

Exit mobile version