Site icon PORTALB

Xheladini: Edhe ky gjysmëvjetor filloi me probleme të njëjta në arsim

Shenasi Xheladini

Shenasi Xheladini

Shenasi Xheladini nga Lëvizja BESA, në një konferencë për shtyp, theksoi se gjysmëvjetorin e dytë shkollor po e nisim e probleme të vjetra, njofton Portalb.mk.

“Kjo qeveri, në vend të krijimit të kushteve për reforma në arsim, po vazhdon me avazin e qeverisë së vjetër, ku akoma ballafaqohemi me mungesë të objekteve, teksteve shkollore dhe politizim të skajshëm të arsimit, madje duke i shkelur edhe ligjet që kanë të bëjnë me fushën e arsimit”, tha Xheladini.

Ai përmendi disa prej problemeve me të cilat përballet arsimi në vend

Siç tha ai, manipulimet dhe paaftësia e Ministrisë së Arsimit, shihet qartë edhe në shumë raste të tjera:

  1. Rasti i Kumanovës, me dy shkollat e mesme shqipe, ku ishte premtuar se nga viti 2016 njëri nga objektet shkollore do të dislokohet në një objekt më të përshtatshëm; Në këto objekte shkollore kanë mungesë edhe të kushteve minimale për zhvillimin e një ore teorike dhe praktike.
  2. Në rastin e nxënësve shqiptarë në Idrizovë dhe Veles, të cilëve nuk iu krijohen kushte të mësojnë në gjuhen shqipe dhe për të gjitha këto, deri sot nuk ka asnjë zgjidhje.
  3. Edhe më tutje vazhdojnë premtimet boshe për ndërtimin e shkollës fillore në Reçicë të Vogël.

“Pasi ju, nuk dhatë përgjegjësi as juridike e as morale për dështimet e juaja, këtë përgjegjësi do ta jepni pas 12 prillit, kur Lëvizja BESA, si pjesë e koalicionit qeverisës edhe më fuqishëm do të angazhohet për shtet të së drejtës, për përmirësimin e gjendjes së arsimit, e veçanërisht në depolitizim dhe zhvillim e saj si në shtetet evropiane dhe me demokraci të zhvilluar”, shtoi Xheladini.

Exit mobile version