Site icon PORTALB

Prokuroria e përgënjeshtroi Janevën: Telefoni nuk ka humbur, por ia ka dhënë dhuratë një personi

Katica Janeva

Katica Janeva, foto arkiv

Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion sot nëpërmjet një kumtese ka njoftuar se telefoni i dytë i kryeprokurores speciale, Katica Janeva, e cila dyshohet të jetë e përzier në aferën korruptive “Reket”, nuk është humbur ashtu siç kishte deklaruar djali i Janevës në Beograd, por i është dhënë dhuratë një personi tjetër, njofton Portalb.mk.

“Pas dhënies së urdhrave të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe korrupsion, gjatë ditës së djeshme është gjetur edhe telefoni i dytë i prokurorit publik (shkrim i redaksisë, Katica Janeva), i cili ishte duke u kërkuar.  Pas dhënies së urdhrit të parë për marrjen e telefonave celular, është gjetur vetëm një telefon dhe u dha informatë se telefoni tjetër është humbur. Prokuroria me kërkesën e dorëzuar deri te operatorët për ndjekjen e IMEI-t – identitetit ndërkombëtar të pajisjes telefonike, e ka gjetur telefonin celular te një person tjetër. Pas çka, me urdhër të gjykatësit të procedurës paraprake telefoni është marrë. Pastaj personi ka deklaruar se telefonin e ka marrë dhuratë”, thonë nga Prokuroria.

Prokuroria Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion në vazhdimësi i ka ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat në drejtim të pastrimit të plotë të rastit. Me qëllim që të konstatohen faktet e mëtutjeshme, telefoni me urdhër të Prokurorisë do të dorëzohet për ekspertizë. Njëkohësisht, Prokuroria shqyrton nëse telefoni i dytë ka qenë mjet i Prokurorisë Speciale.

Ndryshe, Katica Janeva për momentin nuk është nën hetim, pasi që prokuroria nuk posedon dëshmi të mjaftueshme, mirëpo ditën që u arrestuan Boki 13 dhe Kiçeec, Prokurorja Vilma Ruskoska ka lëshuar urdhëresë për konfiskimin e celularit të saj. Raporti i ekspertizës së celularit të Prokurores Speciale, Katica Janeva, ka përfunduar dhe ka arritur tashmë në duart e Prokurorisë për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, e cila po  heton rastin që tronditi shtetin “Reket”, kanë konfirmuar nga atje. Detale se çfarë është nxjerrë nga celulari i Janevës, tani për tani nuk kanë nxjerr nga Prokuroria Publike, duke mos arritur të konfirmojnë nëse ekziston komunikim ndërmjet Janevës dhe Boki 13.

Exit mobile version