Nga sot do të fillojë vaksinimi në terren në shkollat fillore dhe të mesme, kështu informoi dje ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, transmeton Portalb.mk.
“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me ministrin e Shëndetësisë dhe me të vërtetë bëhet fjalë për situatë alarmante. Jemi në fazën e gjetjes së zgjidhjes më të mirë ligjore dhe në Ligjin për shkollë fillore, gjatë regjistrimit, duhet të dorëzohet dokument se janë marrë vaksinat e caktuara. Por, gjithsesi, çdo vendim i yni duhet të jetë në drejtim dhe në pajtim me dispozitat ligjore ku shkolla fillore është e detyrueshme dhe me vlefshmërinë se duhet që të mos kërcënohet shëndeti publik i kujtdo qoftë”, tha Ademi.
Ministri tha se në këtë drejtim do të jenë edhe zgjidhjet e tyre, ligjore dhe nënligjore, por situata me fruthin, siç tha, është bërë alarmante.
Dje, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe paralajmëroi se fëmijët e pavaksinuar nuk do të pranohen në shkollë dhe çerdhe. Para dy ditësh, Komisioni për Sëmundje Ngjitëse e shpalli epideminë e fruthit në gjithë territorin e shtetit.