Edhe pse ditë më parë njoftoi se është hapur konkurs për drejtorë të rinj në më shumë inspektoriate, agjenci, drejtori, ente dhe fonde, Qeveria e Maqedonisë e ka ndryshuar të njëjtin duke hapur konkurs të ri, njofton Portalb.mk.
Qeveria e Maqedonisë e ka anuluar konkursin urgjent të publikuar për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë dhe tash ka hapur konkurs me afat kohor më të gjatë.
Konkursi i parë ka pasur afat treditor të paraqitje së kandidatëve, kurse konkursi i ri mundëson që të interesuarit të paraqiten brenda 15 ditëve.
“Afati për paraqitjen e kandidatëve është 15 ditë nga dita e paraqitjes së konkursit në gazetat ditore, kurse afati për paraqitjen e kandidatëve për drejtorë në Fondin Shëndetësor është 30 ditë”, thuhet në konkursin e Qeverisë së Maqedonisë.
Përndryshe, sipas konkursit të publikuar në gazetat ditore, të interesuarit mund të aplikojnë për 69 vende drejtorësh dhe 25 pozita zëvendësdrejtorësh, si në Drejtorinë e të Ardhurave Publike, Drejtorinë Doganore, Byronë për Furnizime Publike, Qendrën për Menaxhim me Krizat, Drejtoritë për Kryerje të Sanksioneve, për Evidencën e Regjistrave të Amzës, Agjencitë për Ushqim dhe Veterinari, për Film, Drejtorinë për Zona Zhvillimore Industriale Teknologjike, Fondin për Siguri Shëndetësore.