Eurokomesari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Han, të martën do të udhëtojë në Shkup, bashkë me tre eurodeputetët, Eduard Kukan, Ivo Vajgël dhe Knut Flekenshtajn, konfirmoi sot zëdhëhësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, njofton Portalb.mk.
“Ashtu siç mund të shihet edhe në agjendën e komisarin Han, të martën, më 21 mars, do të udhëtojë për në Shkup. Bashkë me të do të jenë edhe eurodeputetët të cilët i njihni mirë, Flenshtajn, Kukan dhe Vajgël. Ata bashkë do të takohen me përfaqësuesit e partive politike parlamentare, por edhe me presidentit Gjorge Ivanov. Ata do ta përsërisin porosinë e fortë të BE-së për respektim të rezultatit zgjedhor dhe të mundësohet vazhdimi i proceseve demokratike që më shpejt të formohet Qeveria e cila do ta implementojë Marrëveshjen e Përzhinës”, tha Kocijançiq.
Eurokomesari Han herën e fundit në Shkup ka qenë më 9 dhe 10 shkurt, ku pati takime me liderët partiak të cilët kanë fituar mandate në përbërjen e re kuvendore, presidentin dhe shoqërinë civile. Pas takimeve me krerët politik të Maqedonisë, tha se më rëndësi është të respektohet Marrëveshja e Përzhinës dhe të krijohet një Qeveri cilësore.
Pasi Ivanov më 1 mars kumtoi se nuk do t’ia jep mandatin Zaevit, Han, nëpërmjet rrjetit social “Twitter” ka komentuar vendimin duke thënë se “të gjithë liderët, përfshirë edhe presidentin, duhet të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve”.
“Në një demokraci, shumica parlamentare duhet pranuar edhe nëse dikujt nuk i pëlqen. Që këtu, pres që të gjithë liderët dhe institucionet, në interes të qytetarëve të lejojnë që të rrjedhin proceset demokratike”, ka shkruar Han.