Me organizimin e një akademie solemne, Universiteti i Tetovës e shënoi 104 vjetorin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, ditë kjo e cila nga shqiptarët anekënd botës njihet si Dita e Flamurit.
Dekani i Fakultetit Filologjik i Universitetit të Tetovës, Doc. Dr. Fatmir Sulejmani, në hapjen e akademisë, para të pranishmëve theksoi se Universiteti i Tetovës këtë ditë e kremton me shumë respekt, nga se na e kujton të shkuarën e lavdishme historike.
,,Ndjehem i privilegjuar që, në emrin tim, në emrin e Rektorit Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe gjithë drejtuesve të UT, t’ju përshëndes dhe t’ua uroj përzemërsisht 28 Nëntorin – Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë natyrale. Siç e dini, në vazhdën e aktiviteteve për shënimin e datave të rëndësishme historike dhe kulturore, Universiteti ynë e ka kremtuar gjithmonë me respekt të veçantë edhe Ditën e Flamurit, për të cilin Faik Konica – personaliteti më emblematik i Rilindjes Kombëtare, thoshte: ,,Flamuri përmbledh kujtimet e shkuara të një kombi në një gjuhë të pashkruar, që mund ta kuptojë syri dhe zemra e çdo njeriu me ndjenja. Cilat janë kujtimet që shfaq, duke valuar, Flamuri ynë? Nuk janë kujtime goditjesh kundra fqinjëve, nuk janë kujtime lakmirash dhe rrëmbimesh: janë kujtime vetëmbrojtjeje me mundime të palodhura dhe me trimërira të gjata e të forta, që kanë lënë gjurmë në letërsitë e gjithë popujve të qytetëruar. Nga kjo pikëpamje mund të mburremi se Flamuri ynë, siç është njëri nga më të vjetrit e botës, është dhe njëri nga më të drejtët”. Kjo ditë e madhe na e kujton të shkuarën e lavdishme historike, po dhe hidhësitë e copëtimeve tragjike të trungut etnik, me ç’rast, deri në shpalljen e Kosovës shtet i pavarur, më shumë se gjysma e territorit dhe popullit shqiptar mbeti nën thundrat e fqinjëve nepërka, të cilët, edhe në rrethanat e reja akoma nuk kanë hequr dorë nga tendencat e zhbërjes sonë nga faqja e dheut, sado që i kanë sofistikuar mekanizmat drobitëse të idealeve të gjalla rilindëse”, tha Doc. Dr. Fatmir Sulejmani.
Ai, mes tjerash shtoi se, përkundër vështirësive me të cilat vazhdojmë të përballemi si komb, ne e kemi kuptuar më në fund se çelësi që hap dyert e një historie ndryshe prej asaj të stërgjyshërve, është në duart tona. ,,Prej nesh varet, a do të lejojmë akoma të na përçajnë e të na bëjnë pikë e pesë, për të na sunduar më lehtë, si dikur, apo do të lëmë mënjanë hasmëritë ndërvëllazërore dhe do të punojmë përnjëmend për kultivimin e frymës përbashkuese të energjive, që nuk kërkojnë asgjë më shumë se orientim të drejtë. Së këndejmi, unë jam i bindur se rinia shqiptare, në veçanti ajo studentore, është e vetëdijshme për sfidat e kohës, që nuk janë aspak më të lehta se sfidat e pararendësve tanë.
Jam i bindur se ju, studentë të dashur, që sot keni në dorë armën e fuqishme të dijes, do ta gjeni rrugën e kompensimit të kohës së humbur në vorbulla shekujsh, për të mos e derdhur kurrë më djersën për të tjerët dhe, mos e dhëntë Zoti, të lini kockat për flamujt e të tjerëve. Ju jeni ata që do të dini t’i dalloni miqtë prej armiqve dhe dashamirët prej dashakëqinjëve; që do t’i njihni me lehtësi ata që ua hanë hisen e bukës dhe ata që e konsumojnë dritën e diellit tuaj; ata që përpiqen t’ua brejnë substancën etnike dhe ata që tentojnë t’ua ndryshojnë kodin identitar… Ju do të dini të mbroni të drejtat tuaja legjitime kolektive dhe individuale; t’i imponoheni botës me vlera dhe profesionalizëm të lartë në të gjitha fushat e dijes; të jeni pjesëmarrës dhe hisedarë të mirëfilltë në garën e përhershme ndërmjet etnish dhe qytetërimesh. Kjo është rruga e vetme që e bën të përjetshme Shqipërinë dhe shqiptarët. Rrugët tjera nuk janë tonat”, u shpreh Doc. Dr. Fatmir Sulejmani.
Ndërsa, Prof. Dr. Zeqirja Rexhepi, për nder të kësaj date të rëndësishme për kombin tonë, para të pranishmëve e paraqiti referatin tematik. Ai tha se kremtimi i 28 Nëntorit, ditës së shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë është bekim për një komb të lashtë, siç janë shqiptarët, pavarësisht kalvareve që na shkaktuan regjimet e të huajve – kush më shumë e kush më pak, e kaluara e popullit tonë qëndron mbi lavdi.
Dita e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntori është festa më e madhe dhe më e rëndësishme për shqiptarët e të gjitha trojeve, pasi që na kujton se jemi një, pavarësisht bindjeve e ndarjeve ideologjike, religjioze, krahinore e dialektore. Po ashtu, kjo akademi u begatua edhe me një program artistik të përgatitur nga studentët e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës.