Site icon PORTALB

KEMM: Qytetarët më shumë ankohen nga shkrimet në portale, mediat të kenë kujdes!

KEMM, 05.09.2016

KEMM

Dhjetëra ankesa, prej të cilave më së shumti kundër portaleve, nënvizojnë probleme të ndryshme në raportimin profesional të mediave në Maqedoni, njoftoi sot Këshilli për Etikë në Mediat e Maqedonisë, në konferencën për shtyp të mbajtur në BE- Info Qendër, raporton Portalb. Me këtë rast përfaqësuesit e Këshillit bënë thirrje që të gjitha mediat t’i përmbahen rregullave etike, e cila veçanërisht është e rëndësishme gjatë kësaj periudhe parazgjedhore.

Drejtoresha e Këshillit, Marina Tuneva theksoi ndër tjerash rolin e rëndësishëm që RTM ka në formimin e opinionit publik, sidomos në një periudhë parazgjedhore si kjo. Prandaj është me rëndësi të informuarit drejtë, në mënyrë profesionale, etike dhe objektive.

Kryetari i Këshillit për Etikë në Mediat e Maqedonisë, Mirçe Adamçevski deklaroi se në periudhën dymujore Këshilli ka pranuar dhjetëra ankesa, të cilat më së shumti u janë drejtuar portaleve, për shkak se të njëjtat nuk janë të rregulluara me ligj, por në mënyrë vetërregulluese. Sipas tij, ankesat kryesisht kanë të bëjnë me mungesë të palës së dytë e të tretë; përzierje të mendimeve dhe fakteve; komentime pa fakte; gjuhë të urrejtjes dhe diskriminim në baza të ndryshme në tekstin e përpunuar.

Gjithashtu, kryetari i Bordit Udhëheqës, Dragan Antonovski bëri thirrje që të gjithë të punojnë në vetëdijësimin dhe zhvillimin e konceptit të vetërregullimit, “Ju ftoj bashkërisht të punojmë për vetërregullimin”.

Përndryshe, në fillim të vitit 2016 Portalb e nënshkruajti Kartën për raportim etik për zgjedhjet, të propozuar nga Këshilli për Etikë në Mediumet e Maqedonisë (KEMM).

Kjo kartë parasheh që nënshkruesit t’u përmbahen këtyre parimeve:

Parimi i vërtetësisë dhe objektivitetit

Parimi i ekuilibrimit

Parimi i dallueshmërisë së qartë midis informacioneve dhe komenteve

Parimet e ndershmërisë dhe neutralitetit

Parimi i solidaritetit profesional 

Parimi i pavarësisë redaktuese dhe integritetit profesional

Parimi i respektit dhe tolerancës

Parimi i lirisë dhe përgjegjësisë

LEXO: KEMM: Mbi 120 ankesa për veprime joetike të medieve

Exit mobile version