Sipas Marrëveshjes së re të arritur nga katër partitë më të mëdha në vend parimisht është parashikuar mbështetje për ekzistencën e Prokurorisë Speciale Publike. Nga PSP-ja presin të shohin nëse kjo marrëveshje do ta ndryshojë sjelljen e institucioneve tjera, ndërkohë që njohësit e çështjeve kushtetuese janë të mendimit se pa formimin e një departamenti special, PSP do të vazhdojë të has në pengesa njësoj siç ka hasur deri tani, shkruan analiza e Portalb.mk dhe Nova.mk.
Analizën në gjuhën maqedonase e gjeni në këtë link.
Lençe Ristovska: Ekzistenca e PSP-së nuk është diskutabile
Ekzistenca e Prokurorisë Publike as që duhet të kontestohet e të bëhen debate rreth saj kur e dimë që ajo u miratua në Parlament me shumicën më të madhe që e dimë deri më tani, kështu shprehet Lençe Ristovska, prokurorja e PSP-së.
“Ne kemi thënë deri tani se nuk do t’i komentojmë proceset shoqërore, veçanërisht pasi bëhet fjalë për marrëveshje politike. E kemi thënë edhe herët tjera se ekzistenca e kësaj prokurorie publike është në kuadër të ligjit që është miratuar në Parlament, e votuar me shumicën më të madhe që është e njohur deri tani në historinë e Maqedonisë dhe për këtë shkak nuk mendojmë se vetë ekzistenca e kësaj prokurorie publike është diskutabile dhe jashtë kornizave ligjore.”-thotë ajo për Portalb.mk.
E pyetur nëse marrëveshja i zgjidh problemet e PSP-së me bllokadën që ia bëjnë gjyktatat duke mos ia pranuar kërkesat për paraburgim dhe kërkesat e tjera, Ristovska u shpreh se nuk mund të komentojë konkretisht por se janë në pritje.
“Presim të shohim e ardhmja çfarë do të dëshmojë, se a do të ketë ndryshim në sjelljen e institucioneve tjera në bashkëpunim me PSP-në” tha Ristoska, për Portalb.mk.
Marrëveshja nuk ka precizuar detaje për të zhbllokuar punën e PSP-së
Për profesorin universitar, Bajram Pollozhani problemi në këtë marrëveshje të re dhe njëkohësisht vjetër qëndron në faktin që nuk është paraparë asgjë konkrete në lidhje me ngritjen e procedurave para-hetimore dhe hetimore kur PSP do u drejtohet kolegjit penal të gjykatave të rregullta.
“Përsëri do të mbetet në bllokada PSP-ja sepse prokuroria me aktet e veta të ngritjes së procedurave para-hetimore dhe hetimore do t’iu drejtohet kolegjit penal të gjykatave të rregullta. Nuk ka ndonjë trajtim të veçantë në këtë pikëpamje. Vetëm relativizohet më tutje roli i PSP-së” tha për Portalb, Pollozhani.
Sipas tij, në të u shmangën subjektet opozitare nga intenca për të themeluar departament special në Gjykatë i cili do të ndiqte urdhrat e PSP-së.
“Marrëveshja nuk solli diçka të re. Ligji ekziston, kjo që u nënshkrua ishte një deklarim plotësues që ta vazhdojë punën PSP-ja. Megjithatë, si e si ajo e vazhdon punën sipas legjislacionit, domethënë nuk është se do të ndryshohet diçka në ligj, as nuk i ndryshojnë kompetencat e as instrumentet që i ka, as nuk u krijua ndonjë departament në Gjykatë Speciale apo ndonjë departament i veçantë brenda gjykatës së rregullt.”-sqaroi Pollozhani,
Sipas juristit Osman Kadriu, ka një qasje pozitive në aspektin e mbrojtjes së PSP-së, respektivisht kompetencave të saja. Megjithatë, nëse jo Gjykatë Speciale, është momenti i fundit të formohen departamente speciale në kuadër të gjykatave ekzistuese.
“Prej kur u themelua PSP-ja çështja e zbërthimit të lëndëve penale ka ngelur në gjysmë rruge. Duhej të formohet Gjykatë Speciale konform Prokurorisë Speciale, ajo nuk ndodhi. Tani, ashtu siç është e njohur, të gjitha lëndët të cilat janë publikuar nga PSP hasin në një gozhdë shumë të rëndë hekuri dhe kemi një obstruksion të rëndë nga gjyqësori. Meqë nuk u formua Gjykatë Speciale se duhej të intervenohet edhe në vetë Kushtetutën, është momenti i fundit që konform rregullativës juridike të formohen departamente speciale në kuadër të gjykatave penale edhe ato në të gjitha instancat edhe në Gjykatën Themelore Shkupi 1 edhe në Gjykatën e Apelit edhe në Gjykatën Supreme.”
thotë për Portalb.mk, Kadriu.
Më konkretisht ai propozon që të themelohen departamente të lëmisë penalo-juridike, të specializuara vetëm për lëndët që do të publikohen nga PSP-ja sepse, sipas tij, përndryshe nuk do të ketë zgjidhje të krizës juridike.
“Kurse pa zgjidhjen e krizës juridike, që nënkupton zbërthimin, zbardhjen e lëndëve penalo-juridike nuk do të ketë zgjidhje të krizës politike.”-tha Kadriu.
Kadriu nuk beson se Gjykata Kushtetuese do ta shpallë jo-kushtetuese Ligjin për PSP-në, meqë asnjë element i ligjit nuk është në kundërshtim me Kushtetutën aktuale dhe meqë ekzistenca e PSP-së është në interes shtetëror.
Në të kundërt, siç theksoi ai, “në qoftë se ndodh që të abrogohet Ligji për PSP-në dhe PSP-ja atëherë përsëri do të vijmë në konkluzion se Gjykata Kushtetuese vendos në baza partiake, politike a jo konform kushtetutës.” shprehet Kadriu.
Në të njëjtën linjë mendimi është edhe profesori Svetomir Shkariq i cili kohë më parë tha për Portalb.mk se nuk pret që Gjykata Kushtetuese ta revokojë PS-në pasi që duhet të ketë parasysh edhe për dimensionin politik, gjegjësisht pse është themeluar kjo prokurori.
“Për themelimin e këtij institucion janë pajtuar katër partitë politike dhe shumica e Parlamentit me 111 vota, që paraqet shumicë më e madhe se sa ajo me të cilën është miratuar Kushtetuta në vitin 1991. Edhe nëse vendosin që këtë iniciativë ta vejnë në rend dite, këtë herë nuk d të munden ti ikin opinionit, e tu ikin ekspertëve”, thotë Shkariq.
Që nga bllokadat e para të punës së PSP-së, në opinion në Maqedoni ekspertët ligjorë, partitë jo-parlamentare shqiptare si dhe disa nga ato maqedonase vlerësojnë se vendit i duhet një gjykatë speciale apo një lloj departamenti brenda sistemit aktual gjyqësor që të merrej me çështjet e ngritura nga Prokuroria e Posaçme, për të luftuar në këtë mënyrë, kriminalitetin dhe korrupsionin në radhët e zyrtarëve të pushtetit.
Kjo storje është realizuar me anë të bashkëpunimit ndërmjet NOVA TV dhe Portalb.