Maqedoni, pa departament gjyqësor special, PSP do të vazhdojë të hasë në pengesa

Sipas Marrëveshjes së re të arritur nga katër partitë më të mëdha në vend parimisht është parashikuar mbështetje për ekzistencën e Prokurorisë Speciale Publike. Nga PSP-ja presin të shohin nëse kjo marrëveshje do ta ndryshojë sjelljen e institucioneve tjera, ndërkohë që njohësit e çështjeve kushtetuese janë të mendimit se pa formimin e një departamenti special, PSP do të vazhdojë të has në pengesa njësoj siç ka hasur deri tani, shkruan analiza e Portalb.mk dhe Nova.mk.

Analizën në gjuhën maqedonase e gjeni në këtë link.

Lençe Ristovska: Ekzistenca e PSP-së nuk është diskutabile

Ekzistenca e Prokurorisë Publike as që duhet të kontestohet e të bëhen debate rreth saj kur e dimë që ajo u miratua në Parlament me shumicën më të madhe që e dimë deri më tani, kështu shprehet Lençe Ristovska, prokurorja e PSP-së.

Zëdhënësja e PSP-së, prokurorja Lençe Ristovska
Lençe Ristovska

“Ne kemi thënë deri tani se nuk do t’i komentojmë proceset shoqërore, veçanërisht pasi bëhet fjalë për marrëveshje politike. E kemi thënë edhe herët tjera se ekzistenca e kësaj prokurorie publike është në kuadër të ligjit që është miratuar në Parlament, e votuar me shumicën më të madhe që është e njohur deri tani në historinë e Maqedonisë dhe për këtë shkak nuk mendojmë se vetë ekzistenca e kësaj prokurorie publike është diskutabile dhe jashtë kornizave ligjore.”-thotë ajo për Portalb.mk.

E pyetur nëse marrëveshja i zgjidh problemet e PSP-së me bllokadën që ia bëjnë gjyktatat duke mos ia pranuar kërkesat për paraburgim dhe kërkesat e tjera, Ristovska u shpreh  se nuk mund të komentojë konkretisht por se janë në pritje.

“Presim të shohim e ardhmja çfarë do të dëshmojë, se a do të ketë ndryshim në sjelljen e institucioneve tjera në bashkëpunim me PSP-në” tha Ristoska, për Portalb.mk.

Marrëveshja nuk ka precizuar detaje për të zhbllokuar punën e PSP-së

Për profesorin universitar, Bajram Pollozhani problemi në këtë marrëveshje të re dhe njëkohësisht vjetër qëndron në faktin që nuk është paraparë asgjë konkrete në lidhje me ngritjen e procedurave para-hetimore dhe hetimore kur PSP do u drejtohet kolegjit penal të gjykatave të rregullta.

Bajram Pollozhani
Bajram Pollozhani

“Përsëri do të mbetet në bllokada PSP-ja sepse prokuroria me aktet e veta të ngritjes së procedurave para-hetimore dhe hetimore do t’iu drejtohet kolegjit penal të gjykatave të rregullta. Nuk ka ndonjë trajtim të veçantë në këtë pikëpamje. Vetëm relativizohet më tutje roli i PSP-së” tha për Portalb, Pollozhani.

Sipas tij, në të u shmangën subjektet opozitare nga intenca për të themeluar departament special në Gjykatë i cili do të ndiqte urdhrat e PSP-së.

“Marrëveshja nuk solli diçka të re. Ligji ekziston, kjo që u nënshkrua ishte një deklarim plotësues që ta vazhdojë punën PSP-ja. Megjithatë, si e si ajo e vazhdon punën sipas legjislacionit, domethënë nuk është se do të ndryshohet diçka në ligj, as nuk i ndryshojnë kompetencat e as instrumentet që i ka, as nuk u krijua ndonjë departament në Gjykatë Speciale apo ndonjë departament i veçantë brenda gjykatës së rregullt.”-sqaroi Pollozhani,

Sipas juristit Osman Kadriu, ka një qasje pozitive në aspektin e mbrojtjes së PSP-së, respektivisht kompetencave të saja. Megjithatë, nëse jo Gjykatë Speciale, është momenti i fundit të formohen departamente speciale në kuadër të gjykatave ekzistuese.

“Prej kur u themelua PSP-ja çështja e zbërthimit të lëndëve penale ka ngelur në gjysmë rruge. Duhej të formohet Gjykatë Speciale konform Prokurorisë Speciale, ajo nuk ndodhi. Tani, ashtu siç është e njohur, të gjitha lëndët të cilat janë publikuar nga PSP hasin në një gozhdë shumë të rëndë hekuri dhe kemi një obstruksion të rëndë nga gjyqësori. Meqë nuk u formua Gjykatë Speciale se duhej të intervenohet edhe në vetë Kushtetutën, është momenti i fundit që konform rregullativës juridike të formohen departamente speciale në kuadër të gjykatave penale edhe ato në të gjitha instancat edhe në Gjykatën Themelore Shkupi 1 edhe në Gjykatën e Apelit edhe në Gjykatën Supreme.”

Osman Kadriu
Osman Kadriu

thotë për Portalb.mk, Kadriu.

Më konkretisht ai propozon që të themelohen departamente të lëmisë penalo-juridike, të specializuara vetëm për lëndët që do të publikohen nga PSP-ja sepse, sipas tij, përndryshe nuk do të ketë zgjidhje të krizës juridike.

“Kurse pa zgjidhjen e krizës juridike, që nënkupton zbërthimin, zbardhjen e lëndëve penalo-juridike nuk do të ketë zgjidhje të krizës politike.”-tha Kadriu.

Kadriu nuk beson se Gjykata Kushtetuese do ta shpallë jo-kushtetuese Ligjin për PSP-në, meqë asnjë element i ligjit nuk është në kundërshtim me Kushtetutën aktuale dhe meqë ekzistenca e PSP-së është në interes shtetëror.

Në të kundërt, siç theksoi ai, “në qoftë se ndodh që të abrogohet Ligji për PSP-në dhe PSP-ja atëherë përsëri do të vijmë në konkluzion se Gjykata Kushtetuese vendos në baza partiake, politike a jo konform kushtetutës.” shprehet Kadriu.

Në të njëjtën linjë mendimi është edhe profesori Svetomir Shkariq i cili kohë më parë tha për Portalb.mk se nuk pret që Gjykata Kushtetuese ta revokojë PS-në pasi që duhet të ketë parasysh edhe për dimensionin politik, gjegjësisht pse është themeluar kjo prokurori.

Svetomir Shkariq
Svetomir Shkariq

“Për themelimin e këtij institucion janë pajtuar katër partitë politike dhe shumica e Parlamentit me 111 vota, që paraqet shumicë më e madhe se sa ajo me të cilën është miratuar Kushtetuta në vitin 1991. Edhe nëse vendosin që këtë iniciativë ta vejnë në rend dite, këtë herë nuk d të munden ti ikin opinionit, e tu ikin ekspertëve”, thotë Shkariq.

Që nga bllokadat e para të punës së PSP-së, në opinion në Maqedoni ekspertët ligjorë, partitë jo-parlamentare shqiptare si dhe disa nga ato maqedonase vlerësojnë se vendit i duhet një gjykatë speciale apo një lloj departamenti brenda sistemit aktual gjyqësor që të merrej me çështjet e ngritura nga Prokuroria e Posaçme, për të luftuar në këtë mënyrë, kriminalitetin dhe korrupsionin në radhët e zyrtarëve të pushtetit.

Kjo storje është realizuar me anë të bashkëpunimit ndërmjet NOVA TV dhe Portalb.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button