Organizatorët që thirrën këta njerëz për më se tre muaj që të dalin në rrugë, nuk janë të kënaqur me marrëveshjen që arritën katër partitë në Klubin e Deputetëve të mërkurën në Shkup. Tani lëvizja “Protestoj” po thotë se do të mbush edhe më shumë rrugët e kryeqytetit me njerëz, sepse kërkesat e tyre nuk janë marr parasysh, në zgjidhjen që pajtuan katër partitë për ta nxjerr vendin nga kriza politike, njofton TV21.
“Revolucioni i larmë” do të riaktivizohet së shpejti për të protestuar, paralajmëron Pavle Bogojevski përfaqësuesi i lëvizjes “Protestoj”, sepse sipas tij, zgjedhjet nuk e nxjerrin shtetin nga kriza.
Madje, siç thotë ai, kauza e demonstruesve nuk u mor parasysh nga politika.
“Nuk janë çështje që duhej të ishin në tavolinën e bisedimeve vetëm ndërmjet katër parive, ato çështje duhet të kenë legjitimitet më të gjerë publik dhe konsensus. Mirëpo, një gjë e tillë nuk mund të pritet deri sa VMRO dhe BDI janë në pushtet. Dhe kuptohet që protestat, si formë e shprehjes së revoltës, asnjëherë nuk do të ndërpritet”, tha ai.
“Revolucioni të Larmë”, ka parashtruar tetë kërkesa prej se ka ftuar njerëzit që të dalin të protestojnë në rrugët e Shkupit.
Marrëveshja e së mërkurës përmbledh katër nga këto çështje.
Në rrjetet sociale kanë filluar të qarkullojnë afishe ku renditen kërkesa e pa përmbushura nga skena politike, dhe kjo po shërben si paralajmërim për vazhdim të protestave.
“KËRKESAT E PAPLOTËSUARA TË REVOLUCIONIT TË LARMË”
1) DORËHEQJE TË MENJËHERSHME DHE TË PAREVOKUESHME TË GJORGJE IVANOVIT NGA FUNKSIONI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË;
2) FORMIMI I DHOMAVE SPECIALE NË GJYKATËN PENALE, TË CILAT DO TË JENË PËRGJEGJËSE PËR RASTET QË JANË AKTUALISHT NËN JURIDIKSIONIN E PROKURORISË PUBLIKE SPECIALE;
3) PËRFSHIRJA E DETYRUESHME E PJESËTARËVE TË PAVARUR NGA SHOQËRIA CIVILE NË PROCESIN E ZGJIDHJES SË KRIZËS.
4) FORMIMI I NJË QEVERIE KALIMTARE, E CILA DERI NË FUND DO TË ZBATOJ REFORMAT PRIORITARE TË DALA NGA RAPORTI I PRIBESË.
Pavle Bogojevski, thotë se themelimi i të ashtuquajturës “Gjykatë Speciale” do të jetë pika më e nxehtë.
Në bazë të marrëveshjes së re, edhe nëse Gjykata Kushtetuese e gjen si jo-kushtetuese themelimin e Prokurorisë Publike Speciale, brenda pesë ditëve, katër partitë duhet të ndryshojnë ligjin për të rivënë në funksion Prokurorinë Speciale.
Sipas Protestoj, përderisa këto kërkesa nuk përmbushen, protestat nuk ndalen.