Site icon PORTALB

“Lagjja e Trimave”, heshtja e kumanovarëve foli për porosinë e tyre (FOTO+VIDEO)

Të veshur kuq e zi, me trëndafila në dorë dhe fotografi të Zamira Jasharit, vajzës nga Lagjja e Trimave që pushtoi faqet e mediave botërore me fotografinë e saj ku duket e shqetësuar nga ngjarjet e 9 majit, disa fëmijë, të rinj dhe qytetarë të Kumanovës sot marshuan heshtazi nëpër rrugët e Kumanovës, raporton Portalb.

Marshi filloi nga Lagjja e Trimave dhe pas një xhiroje nëpër rrugët e Kumanovës, në po të njëjtin vend ka përfunduar.

Marshuesit kanë protestuar në heshtje duke u solidarizuar me heshtjen e institucioneve për zbardhjen e rastit të “Kumanovës”.

Në duart e marshuesve u panë pankarta me mbishkrime, “Stop terrorit shtetëror”, “Terrorizmi nuk ka komb as fe”, “Stop rasteve të montuara ndaj shqiptarëve”.

Njëri ndër iniciatorët e marshit të sotëm përkujtimor, Shaban Demiri, tha se ia kanë arritur qëllimit, që ta dërgojnë porosinë nëpërmjet heshtjes deri te institucionet, dhe porositi se rastet e ngjashme të mos përsëriten.

“Ne dërguam mesazh se jemi për qetësi dhe rehati që t’ua me dije të gjithëve se rastet e montuara të ndërpriten, ndërkaq ata që janë në procedurë të ndriçohen dhe kurrë të mos përsëriten askund në botë. Protestuam në heshtje dhe qetë se heshtja flet gjithçka”, tha Demiri.

Demiri tha se marshi i sotëm është organizuar më herët sepse më pas do t’i bashkëngjiten edhe protestës së Këshillit Opozitar.

Përndryshe, marshi përkujtimor është organizuar nga familjet e prekura nga konflikti i armatosur më 9 Maj dhe 10 maj të vitit 2015 në Kumanovë, gjegjësisht në “Lagjen e Trimave”, në përkujtim të të rënëve dhe të burgosurve, raporton gazetari i Portalbit nga terreni.

Exit mobile version