Deputeti Ilir Deda ka njoftuar sot se pas dy viteve të bashkëpunimit ai largohet nga lëvizja Vetëvendosje, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për mediat në selinë e kësaj partie, ai tha se vendimi ka të bëjë me dallime konceptuale të cilat janë shfaqur në nëntë muajt e fundit.
Deputeti Deda nuk ka qenë përkrahës dhe pjesëmarrës i hedhjes së gazit lotsjellës në seancat parlamentare me të cilat opozita bllokonte punën e Kuvendit në shenjë pakënaqësie për marrëveshjen për asociacionin për komunat me shumicë serbe dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Në konferencën për mediat në të cilën ai u shfaq bashkë me sekretarin Organizativ të VV-së, Dardan Molliqaj, Deda tha se përkundër braktisjes, Lëvizjen Vetëvendosje e sheh si një katalizator të ndryshimeve.
Molliqaj ka shprehur falënderimet për bashkëpunimin e deritanishëm, ndërkohë që Deda njoftoi se nga muaji i ardhshëm do të fillojë aktivitetin në një subjekt të ri politik.
Përkundër faktit se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014 Deda ishte i 100-ti në listën e VV-së, ai ishte ndër më të votuarit me 15 mijë vota. Para postit të deputetit, Deda ushtronte detyrën e këshilltarit politik të ish-presidentes Jahjaga.