Erdhi pa shumë bujë, por po rezulton një nga lojtarët që ka marrë për dore Kukësin në këtë pyesë të dytë të sezonit. Bëhet fjalë për Izair Eminin, bomberin e ardhur në janar i cili edhe në sfidën e sotme ndaj Tërbunit, ka rezultuar vendimtar me golin e tij.
Tërbuni vazhdon të tregojë rezistencë dhe zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë. Kukësi kishte shansin të shënonte që në minutën e tetë të takimit, por mesfushori Edon Hasani gaboi nga pika e bardhë. Fraksioni i parë u mbyll në barazim 0-0.
Në pjesën e dytë Kukësi e shtoi presionin dhe pas shumë rasteve u shpërblye në minutën e 72-të, kur në zonë me kokë goditi bukur sulmuesi kryesor Izair Emini, i cili mposhti portierin Haxho.
Me këtë fitore Kukësi i largohet edhe më shumë Tiranës, që u mund në Shkodër, ndërkohë nga ana tjetër, Tërbuni edhe pse thuajse i rënë nga kategoria, po rrespekton garën dhe po iu hap punë të gjithë kundërshtarëve.
Flamurtari i Zekirija Ramadanit ka dalë edhe këtë javë me barazim pa gola në Vlorë ku u takua me Bylisin e parafundit. Një sfidë e luftuar dhe tensionuese, ku u regjistruan 9 kartonë të verdhë dhe dy të kuq. Përplasje mes lojtarëve dhe faulle të shumtë, por që gjithçka mbyllet në shifrat e bardha 0-0.
Me këtë barazim skuadra vlonjate mbetet e 8-ta në rënditje më 23 pikë, dy më shumë se Bylisi që e ndjek pas duke e mbajtur afër në zonën e ftohtë.
(Panorama-sport)