Aktgjykimi ndaj të parit të Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshelit, do të lexohet deri në fund të marsit, ndërsa ai, në valën e fushatës zgjedhore në Serbi, në atë kohë do të jetë i detyruar të shkojë në Hagë që ta dëgjojë fjalën e gjykatësve në gjykatë.
Por ai, siç shkruajnë mediet e Beogradit, atje nuk do të shkojë vullnetarisht, që do të thotë se autoritetet e Tribunalit do të kërkojnë nga autoritetet serbe që ta arrestojnë dhe ta përcjellin atje.
Gazeta “Novosti” shkruan, transmeton Koha.net, se në Scheveningen i është konfirmuar se në çerekun e parë të vitit 2016 pritet që të shpallet aktgjykimi ndaj Sheshelit.
Pavarësisht nga kjo Shesheli po bëhet gati për zgjedhjet e parakohshme në Serbi, të paralajmëruara për muajin prill.
I akuzuari me stazhin më të gjatë për krime lufte, Vojisllav Sheshel, ishte liruar përkohësisht në nëntor të vitit të kaluar, me arsyetimin – për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ndërsa fjala përfundimtare në gjykatë ishte dhënë në mars të vitit 2012.