Rusia ka shprehur gatishmërinë që të ndërmjetësojë në negociatat mes Arabisë Saudite dhe Iranit me qëllim të tejkalimit të krizës mes dy vdendeve. Agjencia ruse e lajmeve RIA transmetoi deklaratën e një zyrtari të lartë anonim të Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, i cili theksoi se Moska ka raporte jashtëzakonisht të mira me Riadin dhe Teheranin dhe se është e gatshme të ndërmjetësojë në zgjidhjen e kontestit mes dy vendeve.
“Neve na besojnë edhe Arabia Saudite edhe Irani dhe jemi të gatshëm që të ndërmjetësojmë në zgjidhjen e problemit të tyre nëse paraqitet nevoja. Është dërguar ofertë për ndërmjetësimin tonë dhe ministria ruse ka propozuar takim zyrtarësh të të dyja vendeve”, u shpreh zyrtari.
Autoritetet e Arabisë Saudite të shtunën në mëngjes njoftuan se kanë ekzekutuar 47 persona të dënuar me vdekje për terrorizëm në këtë vend, ndërsa në mesin e tyre edhe liderit fetar shiit Nimr al-Nimr. Irani ashpër dënoi këtë hap të autoriteteve saudite, ndërsa gjatë protestave në Teheran është djegur ambasada saudite, dhe u sulmua konsullata në Mashhad.
Arabia Saudite për këtë shkak mbrëmë ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe u dha afat prej dy ditëve diplomatëve iranianë që të braktisin vendin. Të njëjtën gjë e bënë edhe Bahreini dhe Sudani.