Site icon PORTALB

Shkup, nxënësit protestojnë kundër reformave të këqia në arsim (FOTO-VIDEO)

Shkup, protesta të nxënësve kundër reformave të këqia në arsim

Me moton “Stop reformave të këqia në arsim”, Plenumi i shkollave të mesme është duke protestuar para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë (MASH), raporton gazetari i Portalb nga terreni. Qindra nxënës me transparentet e tyre shprehën dëshpërimin nga  deklaratat e ministrit të arsimit, Abdylaqim Ademi, dhe injorimit nga organet kompetente në lidhje me vazhdimin e reformave në arsim. Mes tyre, nuk vërehet prania e shqiptarëve.

Marshi filloi nga fontana në Parkun e Qytetit dhe u ndal para MASH. Nxënësit thonë se nuk duan të jenë gjeneratë e eksperimenteve, për këtë arsye do të vazhdojnë me protesta, raporton Portalb.

Përfaqësuesi i Plenumit të Nxënës, Nikolla Krstevski, i cili mes tjera theksoi se ata qëndrojnë në kërkesat e tyre, ndërkaq ministri Ademi edhe pse disa herë ka thënë se do ta thirrë për bisedime grupin e Plenumit të Nxënësve të Shkollave të mesme, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

“Kërkesat e Plenumit të Shkollave të Mesme janë ato të njëjtat, kërkojmë ndryshimin e testimit ekstern për atë se testimi ekstern është i dëmshëm për suksesin dhe e nxënësve të shkollave të mesme. Ne kërkojmë që ky model të vlejë për nxënësit të cilët tani i ndjekin mësimet, ndërkaq për ata që do të regjistrohen prej tani të ndryshohet koncepti i testimit ekstern ku grupi bisedues i nxënësv të merr pjesë në formimin e këtij koncepti të ri”, tha Nikolla Krstevski. Ministri disa herë ka thënë që do të kemi takime për ta formuar konceptin e përbashkët, por deri më tani ne takime nuk kemi pasur, raporton Portalb.

Marshit të sotme iu bashkua edhe deputetja e pavarur, Sollza Gërçeva, ku këtë e vlerësoi se kjo nuk duhet të jetë vetëm për ndryshimin e testimit ekstern, por për ndryshimet themelore në arsim.

Çështja nuk është vetëm të largohet testimi ekstern, i cili është i dëmshëm për procesin arsimor, por lufta duhet të jetë më e madhe, pra të ketë reforma strukturore në arsim”, tha deputetja e pavarur Sollza Gërçeva, raporton Portalb.

Gjatë marshit të sotëm nxënësit shqiptar nuk ishin të pranishëm, por nuk kishte edhe asnjë transparent në gjuhën shqipe, ndërkaq Krstevski tha se shqiptarët i përkrahin ndërkaq për mungesën e transparentëve në gjuhën shqipe u arsyetua se është lëshim i organizimit.

“Mes nxënësve ka shumë shqiptar që ndoshta s’kanë ardhur në mënyrë të organizuar, nxënësit shqiptar na përkrahin, ata kanë qenë me ne vitin e kaluar, do të jenë edhe këtë vit. Shpresojmë që të vijnë edhe ata në mënyrë më të organizuar dhe me kalimin e kohës do të organizohemi edhe ne më mirë dhe do të kemi përfaqësues shqiptar”, Nikolla Krstevski.

Përpara Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, fjalim mbajtën nga Plenumi i Nxënësve të Shkollave të Mesme Nikolla Krstevski, Milla Basarovska, dhe profesori i SH.M.Q.SH  Orce Nikollov Dushko Stojanovski.

“Këtu jemi, sepse gjatë tërë verës Ministria e Arsimit nuk i mori parasysh kërkesat tona. Rikujtojmë se nëse nuk plotësohen kërkesat tona do ta shihni të njëjtën fotografi, atë ku ne nxënësit e përkrahëm në kushte të rënda dhe në të ftohtë njëri tjetrin”, tha Milla Basarovska, raporton Portalb.

Profesori Stojanovski, gjendjen e arsimit e vlerësoi të rëndë, ndërkaq nxënësit janë shpresa për ta përmirësuar këtë.

“Ministria e Arsimit s’dinë çfarë të bëjë, nuk thotë asgjë, këto flasin vetëm kur kanë të marrin ndonjë tender, përndryshe gjithçka vjen nga një vend tjetër. Ju nxënës jeni shenja e parë që tregon se në Maqedoni ka “demos”, e kur të ketë “demos”, do të ketë edhe demokraci”, tha profesori, Dushko Stojanovski, raporton Portalb.

Marshi kaloi i qetë dhe pa incidente, ndërkaq Plenumi i Nxënësve të Shkollave të Mesme ka paralajmëruar se nesër do të marshojnë në Kumanovë.

  

Exit mobile version