Site icon PORTALB

“Stema e Maqedonisë është simptoma e gjendjes së shqiptarëve në këtë shtet”

Foto nga debati i sotëm

Foto nga debati i sotëm

Thërmia elementesh të princave shqiptarë që përdornin luanin si simbol, nuk mund të mblidhet dhe përgjithësohet dhe as të zëvendësojë simbolin e vetëm identitar që është shqiponja, konstatuan historian dhe studiues në  debatin të sotëm për stemën e re që u mbajt  në Çarshinë e Vjetër të Shkupit të organizuar nga Qendra për Demokraci dhe Zhvillim.

Pjesëmarrësit e debatit  karakterizuan  stemën e re si një simbol shpërfillës ndaj çdo elementi shqiptar duke u ndihmuar edhe nga injoranca e partive shqiptare që mundohen të përligjin tendencën VMRO-DPMNE-së, për të imponuar simbolet e kontestuara historike si pjesë të emblemës shtetërore.

Historiani Nebi Dervishi, sqaroi se luani si simbol është përdorur vetëm nga disa familje të pasura, që përbënë një element shumë të lokalizuar në dekorin e simboleve shqiptare. Dervishi sqaron se  luani nuk simbolizon shqiptaret, por shqiponja.

“Stema e propozuar kërkon pune serioze qe te përfaqësojë përbërjen strukturore të Maqedonisë. Edhe më herët donin ta ndryshonin stemën,  por Luani nuk përfaqëson shqiptaret madje as maqedonasit, ai është simbol i Bullgarisë. Stema që propozon  qeveria nuk përmban asnjë element shqiptar, Luani është i huaj”, thotë Dervishi.

Glauk Konjufca, thotë se Maqedonia ka tendencë që të ndërtojë shtet vetëm për maqedonasit, duke shpërfillur shqiptarët. Kjo sipas tij shihet edhe në zhvillimin e pabarabartë ekonomik ku rajonet shqiptare paraqiten si më të varfëra.

“Shqiptarët janë të diskriminuar në të gjitha sferat dhe kjo është arsyeja e konfliktit të vitit 2001, pas kësaj duhet të ndryshojë edhe politika. Konceptimi për shqiptarët ka bazën ideologjike. Akademia Maqedonase e Shkencës dhe e Arteve  e dëshmoi këtë duke i trajtuar shqiptarët si njerëz të malit”, tha Konjufca.

Për të stema e re e propozuar është simptoma e gjendjes së shqiptarëve në Maqedoni.

“A është luani a ariu nuk ka rëndësi, por është forma se si një shtet e përfaqëson stema duke përjashtuar shqiptarët. Kritikoj partinë ne pushtet ndaj reagimit të stemës si në tregimin “Dhelpra dhe Rushi”,  kështu vepron partia në pushtet se nuk mundet ta refuzojë stemën dhe thotë se është shqiptare. Duhet të ngulin këmbë dhe të thonë që shqiptarët janë popull përbërës dhe pjesë të shtetit, duhet të kritikoj partinë më pushtet që nuk bëjnë asgjë”, tha Konjufca.

Konjufca u përgjigj në pyetjen e shtruar që i vë qytetarët para kureshtjes se pse këto pazare nuk bëhen transparente? Konjufca u përgjigj: “Ndryshimi i stemës bëhet me konkurs. Qytetarët kanë të drejt ta dinë këtë. Kjo nuk është pazar, se nuk ka negociues, kjo është nënshtrim se pajtohesh me ata që nuk të pyesin”.

Ndërkohë, edhe historianët Ramiz Abdyli, Qerim Dalipi e Nuri Bexheti reaguan kundër pamjes së stemës së propozuar dhe pretendimeve se ajo përmban elemente shqiptare. Përmes një reagimi me shkrim ata thonë se luani në stemën e ndonjë princi shqiptar të mesjetës, apo qyteti të Shqipërisë, ka karakter lokal-krahinor dhe si i tillë nuk mund t’u shërbehet shqiptarëve si simbol kombëtar

Publicisti Kim Mehmeti  duke iu referuar projektit të “Shkupi 2014” dhe shumë ngjarjeve të tjera, tha se pala maqedonase kuptoi që shqiptarët janë pronë e partive politike dhe VMRO-së si pronarë i shtetit që  urdhëron kryetarët e BDI-së dhe PDSH-së që të pranojnë stemën.  Sipas tij, ata si injorantë e pranojnë madje thonë se është simbol shqiptarë. /Portalb

Exit mobile version