Site icon PORTALB

Ahmeti: Ka funksionar të papërgjegjshëm, nuk janë të gjithë engjëj

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti është i ndërgjegjshëm që në gjirin e partisë që drejton, ka edhe funksionarë të papërgjegjshëm. Një deklaratë e tillë, për herë të parë nga Ahmeti, fokusonte madje se disa nga funksionarët e partisë, e keqpërdorin pozitën e tyre. Këtë qëndrim, Ahmeti e shprehu teksa mori në dorë Raportin fundit të Progresit nga KE-ja, dorëzuar nga ambasadori i BE-së në Shkup, Aivo Orav.

“Nëse do të bëhesh pjesë e Bashkimit Evropian duhet të jesh edhe auto-kritik. Pse a mendoni se e gjithë BDI-ja janë engjëj? A mendoni se nuk e keqpërdorin pushtetin? Pse, a të gjithë engjëj janë të VMRO DPMNE-së? Jo!”, u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Lideri i BDI-së theksoi se vendi duhet të përfitojë nga kritikat dhe të punojë më shumë për mënjanimin e problemeve që sipas tij, janë reflektuar drejtë në raportin e progresit.

“Të mos interpretojmë por të implementojmë ato interpretime që dalin nga institucionet e Brukselit. Reforma në gjyqësi, a na duhen? Sigurisht që na duhen! A ka gjyqësi selektive? Po, ka gjyqësi selektive! A ka administratë të politizuar dhe partizuar? Po, ka! A janë të gjitha mediat e lira?”, u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Ahmeti u shpreh i dëshpëruar edhe me opozitën që vazhdon bojkotin në parlament. Duke komentuar kritikat e deputetëve të VMRO DPMNE-së ndaj Bashkimit Evropian dhe qëndrimeve të tyre se për Maqedoninë mund të jetë opsion edhe Rusia, Ahmeti apeloi për maturi. Sipas tij, BE-ja dhe NATO nuk mund të kenë zëvendësim, dhe me këtë çështje nuk duhet bërë shaka.

Exit mobile version