Nëse don të harrohet një problem, krijo një tjetër, të ri!
Dihet se në Maqedoni gjykatat janë plotësisht të varura dhe marrin urdhëra nga Qeveria. Kjo u pa më së miri me shtyerjen e dhënjes së vendimit për rastin e ashtuquajtur ’Monstra’, kur gjykatësi ‘u sëmurë’ me urdhër të qeverisë, derisa u formua qeveria e re dhe pasi ajo u formua, gjykatësi ‘u shërua’ dhe e shpalli verdiktin që dihej paraprakisht se cili do të jetë.
Dënimet e para pak ditëve të gjashtë protestuesve përbëjnë dënime drakonike, shumë më të rënda se sa serioziteti i veprimeve që ju mvisheshin të akuzuarve, qoftë edhe nëse vërtetohej fajësia e tyre. Nuk do ndonjë mundim të madh që ta kuptosh së qëllimi i këtyre dënimeve është frikësimi i njerëzve që ata të mos dalin më në protesta. Kështu VMRO-ja do ja lehtësojë punën BDI-së që ajo të vazhdojë të luajë rolin e kukullës, rol ky që luanin dikur ish-komunistët shqiptarë në pushtetin e Maqedonisë, pa pasur frikë nga masivizimi i protestave.
Por unë nuk besoj se protestuesit e dënuar, do t’i mbajnë 3 vitet e burgut me të cilat janë dënuar. Pasi kjo çështje të sorollatet gjykatave, ka mundësi që gjykata e apelit t’i ul dënimet … ose t’i kthejë ato në dënime me kusht … ose t’i lirojë të dënuarit … ose ta kthejë lëndën për rigjykim në shkallë të parë, duke e kthyer çështjen në fillimi. Mesazhi i frikësimit të të tjerëve përmes dënimi të gjashtë protestuesve tashmë është përcjellë.
Përveç rolit të frikësimit të opinionit, dënimi i protestuesve ka edhe një qëllim tjetër, më kryesor – devijimin e vëmendjes nga dënimet e shqiptuara për rastin ‘Monstra’, duke u marrë me problemin e ri të krijuar me dënimin e protestuesve.
Kësaj rradhe BDI-ja nuk do ta nxjerrë papagallin e vet që në cilësinë e zëdhënësit që të mashtrojë shqiptarët sërish, duke aktruar para kamerave. Çështjen tashmë e kanë në dorë gjykatat dhe ato do e luajnë rolin bashkë me BDI-në, më mirë se ndonjë zëdhënës i dalë boje për gënjeshtrat që ka thënë pa fund.
Pengmarrja është një aksion jo vetëm për të kërkuar para, por shpesh edhe për shkëmbimin e pengjeve. Dënimi i të gjashtëve sikur ngjan me një lloj pengmarrje për shkëmbim të dënimeve.
Të gjashtë protestuesit e dënuar ‘janë marrë peng’ nga pushteti dhe lirimi apo zbutja e dënimeve të tyre duhet të shkëmbehet me kthimin e lavdisë së BDI-së, si subjekti që i zgjidh problemet e të burgosurve … si ky i protestuesve të dënuar … por edhe si subjekti që nuk mund t’i zgjidh të gjitha problemet e të burgosurve … si ai të dënuarve për rastin ‘Monstra’ … sepse njerëz jemi dhe të gjithë e dijmë se të gjitha problemet nuk mund t’i zgjidh askush … apo jo?!
Dënime më të ulta … dënime me kusht për gjashtë të dënuarit në protesta … kthim i çështjes për rigjykim … apo ndoshta eventualisht edhe lirim i gjashtë protestuesve … këto do të propagandoheshin me të madhe nga BDI-ja dhe mediat e tyre servile si fitore e madhe e politikave patriotike të BDI-së … E sa për rastin ‘Monstra’!? … ehhhh … e thamë: askush, e as BDI-ja, nuk mund t’i zgjidh krejt, të gjitha problemet …!